Regjistrimi i refugjatëve në Gjermani, ligje të reja përballë situatës kaotike

13/01/2016 00:00

Bundestagu gjerman diskuton këtë javë mbi një ligj të ri për regjistrim më të mirë të azilkërkuesve. Vërshimi i refugjatëve në 2015-n e ka vënë sistemin nën presion dhe autoritetet, tani po përpiqen të vënë rregull në një situatë, që disa e përshkruajnë si “kaotike”.

1,1 milionë refugjatë mbërriten në Gjermani vitin e kaluar, sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, por vetëm gjysmë milion prej tyre kanë paraqitur kërkesë për azil. Ndërkohë diskutohet që edhe të tjerë njerëz të kenë hyrë në vend pa u regjistruar.

Legjislacioni i ri kërkon përmirësimin e shkëmbimit të informacionit. Qëllimi është, që për çdo person të ketë një bazë qendrore të dhënashm në një regjistër kryesor të të gjithë të huajve, e ku në të ardhmen duhet të kenë akses të gjithë autoritetet.

Krahas të dhënave personale do të regjistrohen edhe të dhëna të tjera: gjurmët e gishtërinjve, numrat e telefonëve celularë, informacione për vaksinimin, të radiografive dhe të dhëna të tjera për shëndetin, si dhe për shkollimin apo kualifikimin profesional.

Nga regjistrimi i gjurmëve të gishtërinjve, autoritetet shpresojnë për një identifikim të qartë të personave. Të gjitha pikat përkatëse do të pajisen me një sistem për krahasimin e shpejtë të gjurmëve të gjishtërinjve, i ashtuquajtur “Fast-ID”. Ky mund ta lehtësojë edhe krahasimin e shpejtë me të dhënat e Zyrës Federale të Kriminalistikës.

Aktualisht, gjurmët e gishtërinjve të refugjatëve merren në Bavari, ashtu siç parashikohet në nivel europian, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet krahasimi i të dhënave për respektimin e Marrëveshjes së Dublinit, nëse dikush ka udhëtuar përmes “një vendi të tretë të sigurtë” dhe duhet të kthehet sërish atje.

Megjithatë, gjurmët e gishtërinjve nuk janë të lexueshme në mbarë federatën. Në diskutim është, nga ana tjetër, edhe lëshimi i një të ashtuquajture “kartë identiteti për refugjatët”, me të cilën azilkërkuesi do të pajiset në periudhën që shqyrtohet kërkesa e tij, e që si fillim do të shërbejë për identifikimin e vendbanimit, më pas në një hap të dytë do të lidhet edhe me pagesën e ndihmës sociale.

Top Channel