Reforma, PD: Të zbatohen rekomandimet e Venecias

14/01/2016 19:10

Partia Demokratike do të kërkojë deri në orët e fundit zbatimin e 138 rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi dhe akuzon kryeministrin Edi Rama se po u fshihet këtyre rekomandimeve për të kapur sistemin.

Opozita i qëndron bindjes së shprehur edhe më herët që reforma është jetike, por…

“Për PD, reforma është jetike, një reformë që duhet të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por të mbajë sistemin e drejtësisë të pavarur duke zbatuar 138 rekomandimet e dhëna nga Venecia në raportin paraprak të 21 Dhjetorit”, deklaroi deputeti, Eduart Halimi.

Për Partinë Demokratike, çdo fshehje nga këto rekomandime ka për qëllim kapjen e drejtësisë me të cilën Edi Rama është në konflikt të hapur interesi.

“Do të kapë drejtësinë për të mbrojtur kriminelët me të cilët qeveris”, tha Halimi.

Ajo që ndan më fort palët duket se është shumica e cilësuar për strukturat kyçe të përcaktuar në draftin e ekspertëve të maxhorancës, e që sipas demokratëve, bien ndesh me rekomandimet e Venecias.
“Çimentimi i kapjes politike është pikë ndarje mes nesh dhe Partisë Socialiste. Venecia thotë qartë se votimi i kupolës me 84 vota çimenton kapjen politike”, u shpreh Halimi.

Top Channel