Ristani: Referendumi për reformën në drejtësi, i pamundur

15/01/2016 13:45

Në kahun e maxhorancës ideja e mbajtjes së një referendumi për reformën në drejtësi është artikuluar së fundmi, fillimisht nga kryeministri Edi Rama, që nuk e përjashtoi si mundësi në intervistën e dhënë për Top Channel një ditë më parë.

Por për opozitën, referendumi është i pamundur me ligjin aktual, pse? Këtë e shpjegoi deputeti Arben Ristani në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Duke iu drejtuar deputetit socialist, Pandeli Majko, Arben Ristani tha se ligji aktual i referendumeve nuk mundëson zhvillimin e tyre.

“Me ligjin aktual nuk mund të bëhet referendum për reformën në drejtësi. Nëse keni ndërmend të ndryshoni ligjin për referendumet atëherë po, por me këtë ligj ekzistues nuk mund të shkoni sepse ligji kërkon 1/3 e listës zgjedhore, pra 1.3 milionë, që të jetë pro dhe pjesëmarrjen e dyfishit të tyre në votime, pra 2.6 milionë votues. Ju e dini që kjo është e pamundur sepse në Shqipëri numri i votuesve pjesëmarrës është 1 milionë e gjysmë”, deklaroi Ristani.

Top Channel