Kampe të reja brenda Sirisë për refugjatët

08/02/2016 13:55

Punonjësit turq të ndihmave kanë ngritur tenda dhe kanë shpërndarë ushqime për mijëra refugjatë të rinj sirianë që janë ndaluar të hyjnë në Turqi. Rreth 35 mijë vetë janë larguar nga shtëpitë e tyre pas një ofensive të qeverisë siriane në Alepo, javën e kaluar, duke u përpjekur të hyjnë në rajonin kufitar turk, Kilis.

Por, Turqia deri më tani ka mbyllur kufirin, pavarësisht apeleve të liderëve të BE-së për t’i lënë ata që të kalojnë. Vendi i ofron strehim më shumë se 2.5 milionë refugjatëve të luftës në Siri. Shumë sirianë kanë vijuar më tej drejt Evropës për të kërkuar atje azil dhe përbëjnë grupin më të madh mes mbi 1 milionë refugjatëve dhe emigrantëve të tjerë që hynë në mënyrë të paligjshme në BE vitin e shkuar, pjesa më e madhe e tyre nëpërmjet Turqisë, duke kaluar detin.

Në ditët e fundit ushtria siriane, e mbështetur nga sulmet ajrore ruse, ka bërë një seri avancimesh përreth Alepos, qytetit më të madh në Siri. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogerini tha në fundjavë se Turqia kishte detyrën morale për t’i ofruar mbrojtje këtyre refugjatëve. Sipas saj, BE-ja po i siguronte financime Turqisë në mënyrë që ajo të kishte mjetet, instrumentet dhe burimet për të mbrojtur dhe strehuar njerëzit që kërkojnë azil.

Në nëntor, BE-ja nënshkroi një marrëveshje me Turqinë, ku i ofronte asaj 3 miliardë euro për tu kujdesur për refugjatët sirianë në territorin turk. 4.6 milionë njerëz janë larguar nga Siria që nga fillimi i konfliktit atje, në 2011, ndërsa 13.5 milionë të tjerë raportohet se kanë nevoja për ndihma humanitare brenda vendit.

Top Channel