Higuain: Të ruajmë qetësinë, kampionati, në duart tona

11/02/2016 00:00

Dy ekipet kryesuese të Serie A, Napoli dhe Juventusi, do të ndeshen këtë të shtunë mes tyre, një sfidë e cila mund të ndikojë shumë edhe në përcaktimin e ekipit kampion për këtë sezon.

Padiskutim që Gonzalo Higuain me 24 golat e shënuar këtë sezon me Napolin është një prej lojtarëve më të mirë të kësaj skuadre, për të mos thënë më i miri. Argjentinasi ka folur në prag të kësaj sfide për mediat italiane, duke thënë se titulli kampion është në duart e tyre.

“Duhet të ruajmë qetësinë, të mos përfshihemi nga euforia, por të qëndrojmë me këmbë në tokë. Tashmë gjithçka varet nga ne”, shprehet Higuain.

Duke folur për sfidën e së shtunës, “El Pipita” ka thënë se ndihet i qetë dhe e ka të qartë rëndësinë e këtij takimi.

“Luaj futboll prej më shumë se 10 vjetësh dhe e di rëndësinë e një ndeshjeje si kjo. Di që kjo është një sfidë speciale dhe që të gjithë presin me padurim të japin maskimumin. Krahasimet e fundit me Maradonën normalisht që më kanë përkdhelur sedrën, por vetëm mendimi që i  afrohem sadopak atij dhe asaj që ai ka arritur me Napolin është një arritje shumë e madhe për mua, një mrekulli”, ka thënë sulmuesi kryesor i Napolit.

Top Channel