Pjesëmarrëse në punimet dyditore të Ministerialit të NATO-s në Bruksel, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tregoi për Top Channel se Forcat e Armatosura Shqiptare janë të gatshme për të përmbushur misionin kushtetues të sigurisë për qytetarët dhe se tashmë po sigurojnë pajisje moderne e armatim, sipas standardeve të NATO-s.

“Duke blerë armatim të standardeve të NATO-s. Forcat tona të armatosura nuk e kanë pasur një armatim e municion të tillë më parë. Ne kemi përdorur famëkeqin kallashnikov në të gjitha rastet. Sigurisht, në misione të përbashkëta të NATO-s  kemi shkuar me armatim  të tjetërkujt e sot kemi armatimin tonë dhe do ta vazhdojmë këtë proces sepse është përmbushja e të gjitha kërkesave, është një proces i gjatë, por gjithësesi e favorizon FA sepse i bën që jo vetëm ta disponojnë këtë armë, por ndërkohë dhe i trajnon e i përgatit më mirë”, thotë ministrja Kodheli.

Në këtë kuadër do të përdoren dhe të ardhurat nga shitja e mjeteve fluturues ushtarakë, ndërsa aerodromet, ku ato janë mbajtur, do të mbeten në shfrytëzim të ushtrisë shqiptare.

“Flitet për mjete që neve na i kanë dhuruar në vitet ‘50-‘60, të pashfrytëzueshme tashmë e kanë kostot e tyre të mirëmbajtjes dhe inventarizimit. Ruhen sot që flasim në aerodromet tona ushtarake dhe besoj se kjo (ankandi) jo vetëm do ta çlirojë mjedisin ku ato ruhen, sepse e pengojnë  veprimtarinë tonë, por do të na sjellë edhe njê të ardhur që ne do ta shfrytëzojmë vetëm e ekskluzivisht vetëm për modernizimin dhe blerjen e armatimit dhe municioneve dhe për asgjë tjetër. Nga ana tjetër, aerodromet do të rrinë pjesë e Forcave të Armatosura dhe do të përdoren për qëllime ushtarake”, sqaron Kodheli.
 
Shqipëria parashikon të dyfishojë praninë e trupave në Afganistan, ndërsa merr pjesë në misionet e përbashkëta NATO-BE dhe 3 çminues janë aktualisht në Mali, sipas ministres, por Tirana nuk do të rrisë prezencën e trupave të saj në Kosovë.

“Jo nuk e shikojmë të nevojshme sepse kemi mjaftueshmërisht prezence në KFOR”, përgjigjet ministrja e Mbrojtjes.

Top Channel