Presidenti Nishani pret John Kerry në Rinas

14/02/2016 00:00

Sekretari i Shtetit, John Kerry zbriti në tokën shqiptar pak minuta para orës 10:00, ku u prit nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për të nisur zyrtarisht një seri takimesh të vrullshme me aktorët kryesorë të politikës shqiptare, që do të përmbyllet në rreth tri orë.

Kryediplomati amerikan dhe kreu i shtetit shqiptar biseduan për rreth 5 minuta së bashku në shkallët zbritëse të avionit dhe në prani të ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Pas përshëndetjes me presidentin Nishani, Kerry nisi udhëtimin drejt Tiranës për të zhvilluar takimin e parë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Një orë më vonë, Kerry do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe fill pas këtij takimi parashikohet një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Menjëherë pas deklaratës, ku nuk do të ketë pyetje nga gazetarët, Sekretari i Shtetit do të zhvendoset nga selia e Qeverisë pak metra më tutje, në Hotel Rogner për t’u takuar me shefin e opozitës, Lulzim Basha, takim ky që përmbyll takimet me politikën shqiptare.

Pas takimit me Bashën, Kerry do të zhvendoset tek Muzeu Kombëtar për një takim me shoqërinë civile, që tregon edhe njëherë tjetër rëndësinë që ka për Uashingtonin roli i saj në jetën politike në vend.

***

Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe megjithëse nuk do të qëndrojë gjatë, koha do të jetë e mjaftueshme për të dhënë tri mesazhe të rëndësishme.

Si në çdo festë, një falenderim nuk ka për të munguar nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, i cili, si në rastin e ujgurëve, i është gjendur amerikanëve për të zgjidhur edhe një tjetër problem delikat të saj, strehimin e anëtarëve të opozitës iraniane, që gjenden nën mbrojtjen amerikane në kampin “Liria”, në Irak.

Çështja e muxhahedinëve iranianë është pika e parë e axhendës së sekretarit amerikan të Shtetit dhe mësohet se ai do të falenderojë qeveritë e Shqipërisë që, në të kaluarën dhe tani, kanë marrë përsipër të strehojnë anëtarët e opozitës iraniane.

Disa vjet më parë, qeveria e kryeministrit Berisha mori përsipër të strehojë mbi 200 muxhahedinë, ndërsa tani qeveria e kryeministrit Rama ka rënë dakord të marrë përsipër strehimin edhe të 1 mijë iranianëve të tjerë, nga rreth 2.800 që janë aktualisht në kampin “Liria” në Irak.

Kjo është një çështje që ka marrë paraprakisht edhe dakordësinë e opozitës në Shqipëri. Dhe jo rastësisht, në axhendën e takimeve të sekretarit amerikan të Shtetit, të paktën deri tani, janë përfshirë vetëm dy persona, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Por këta dy persona janë gjithashtu edhe dy personat më të lartë politikë në vend, ndaj me ta, John Kerry ka në axhendë të diskutojë edhe rëndësinë e reformës në drjetësi. Kjo është pika e dytë e rëndësishme e axhendës së Kerryt në Tiranë.

Burime diplomatike dhe politike konfirmuan për Top Channel se kjo pjesë e mesazheve që prek drejtpërsëdrejti politikën e brendshme në Tiranë është e detajuar dhe e mirëmenduar për mënyrën sesi do të artikulohen mesazhet.

Por Kerry ka edhe një pikë të tretë shumë të rëndësishme. Kosova do të jetë një nga temat që ai do të diskutojë me kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar një rol më aktiv të Shqipërisë, veçanërisht pas zhvillimeve shqetësuese në Kosovë, në prag të protestës së paralajmëruar të opozitës, në përvjetorin e tetë të pavarësisë dhe të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Top Channel