DASH: Kerry, në Tiranë për reformën në drejtësi dhe Byronë

14/02/2016 00:00

Përpara fluturimit nga Mynihu në Tiranë, zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit kanë zhvilluar një konferencë të shkurtër për shtyp me gazetarët e ndodhur në avion, ku dhe kanë dhënë detaje lidhur me motivet kryesore të kësaj vizite.

Sipas tyre, vizita ka qenë e planifikuar për t’u zhvilluar në dhjetor, kur Sekretari i Shtetit vizitoi Beogradin dhe Kosovën, por për shkak të kohës, vizita në Tiranë u shty.

“Kjo vizitë në Tiranë vjen për shkak se Shqipëria është anëtare e NATO-s, por ende jo e BE-së, gjë për të cilën ajo është duke punuar fort. Shqipëria është një nga kontribuesit në luftën kundër ISIS, si dhe janë duke u dhënë armatime luftëtarëve ‘peshmerga’. Gjithashtu, ata bashkëpunojnë me ne edhe në Afganistan”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Duke u ndalur te lufta kundër terrorizmit theksohet se, Shqipëria ka punuar shumë në të gjitha drejtimet për të parandaluar fenomenin e luftëtarëve të huaj, të cilët shkojnë në Siri dhe Irak.

“Sfida më e madhe e Shqipërisë është integrimi në BE, por gjatë rrugës kanë hasur probleme lidhur me krimin, korrupsionin dhe zbatimin e ligjit. Partitë politike tashmë janë duke punuar në një paketë reformash për të forcuar sistemin juridik në vend. Dy partitë politike në vend janë duke zhvilluar negociata, e për këtë arsye, Sekretari i Shtetit do të përforcojë mesazhin se, kjo paketë ligjesh është kryesore për ecjen përpara të Shqipërisë, jo vetëm për në BE, por edhe për të përmirësuar klimën e investimeve në vend. Ne kemi bërë shumë gjëra në terma afatmesme me Shqipërinë, por lidhur me këtë paketë legjislative, ne kemi dhënë këshilla në draftin e ligjit, në mënyrë që të jetë sa më i balancuar. Do të krijohet një strukturë e ngjashme me FBI-në, të cilën ata nuk e kanë aktualisht, gjë që do ta sjellë sisitemin juridik shqiptar më afër me Europën dhe SHBA-të”, bën të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Ndërkohë për ministrin Bushati rëndësia e kësaj vizite shkon përtej axhendës lokale.

“Kjo ishte një vizitë e rëndësishme, si në drejtim të dhënies së sinjaleve të qarta politike për partneritetin që ekziston ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Ishte një sinjal për shqiptarët në rajon, jo thjesht për shqiptarët në Shqipëri, duke qenë se rreth e përqark nesh aty ku jetojnë shqiptarë, duke filluar që me situatën në Kosovë, por edhe me situatën në Maqedoni”, u shpreh ministri Bushati.

Top Channel