John Kerry: Jeni në rrugën e duhur; tani miratoni reformën në drejtësi

14/02/2016 00:00

Me një fjali që ka tingëlluar muzikë në veshët e Edi Ramës, Sekretari i Shtetit, John Kerry ka vlerësuar arritjet e vendit dhe të qeverisë, duke përdorur pa dashje një slogan politik zgjedhor të Partisë Socialiste.

“Ju jeni në drejtimin e duhur dhe jam besimplotë që me ndërgjegjësimin që është përqafuar përsa i përket  legjislacionit që ka lidhje me luftën ndaj korrpsionit.
Jam shumë i inkurajuar si shumë të tjetë që reformat tuaja kanë marrë udhë”, u shpreh ai.

Sekretari Kerry ka vlerësuar maksimalisht përpjekjet e gjitha palëve për dekriminalizimin.

“Më ka bërë përshtypje personalisht, miratimi i ligjit që pengon kalimin e kriminelëve në sistemin politik. Ky është një hap i rëndësishëm, është një hap kurajoz dhe është një hap domëthënës përsa i përket rrugës që Shqipëria ka ndërmarrë”, vijoi Kerry.

Por ky, sipas Sekretarit te Shtetit, duhet të jetë vetëm fillimi. Vazhdimi, ose reforma në drejtësi, është prova e fortë e ndryshimit të Shqipërisë, duke theksuar rolin e qeverisë në nisjen e këtij procesi.

“Jam shumë i inkurajuar nga paketa e reformës në drejtësi që është duke u shqyrtuar, për të përmirësuar gjyqësorin dhe për të lejuar një goditje më të madhe kundër korrupsionit. Dëshiroi të theksoi se kjo është diçka që udhëheqja juaj ka ndërmarrë, që ata po punojnë fort në mënyrë që të realizohet. Dhe ata janë të përkushtuar, jam i bindur për këtë, për luftën për një qeverisje më llogaridhënëse dhe kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari”, deklaroi ai

Sekretari Kerry rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aleatin e tyre të vogël në rrugën e reformave eurointegruese, por ai ja la përgjegjësinë kryesore vetë shqiptarëve.

“SHBA janë absolutisht të gatshme dhe unë jam këtu që ta konfirmoi në emër të Presidentit Obama që ne jemi me ju në këtë transformim dhe në këtë rrugëtim. Por, në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura dhe të ngulmojnë për zbatimin efektiv të tyre. Populli i këtij vendi e di shumë mirë dhe do të jetojë në një vend ku shteti ligjor nënkupton saktësisht këtë”, u shpreh Kerry.

Dhe në fund një paralajmërim serioz për njerëzit e ligjit në Shqipëri.

“Gjykatësit dhe prokurorët i përmbahen saktësisht të njëjtave rregulla si çdo kush tjetër dhe se të gjithë do të trajtohen me drejtësi pavarësisht se cila parti politike është në pushtet dhe cilës parti i përkasin” përfundoi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Top Channel