Bushati në TCH: Vizitë e rëndësishme për partneritetin SHBA-Shqipëri

14/02/2016 13:55

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel, deklaroi se në takimin me John Kerry-n i është vënë shumë rëndësi reformës në drejtësi, pasi ajo “bën diferencën në raport me vendet e tjera për t’i dhënë mundësi kapitalit amerikan të vërshojë në Shqipëri”.

“Bisedë me John Kerry u fokusua te axhenda ndërkombëtare, tek shkurajimi i ekstremizmit të mundshëm, partneriteti strategjik dhe situata në rajon. Mendoj se është një vizitë e rëndësishme për partneritetin SHBA-Shqipëri dhe një sinjal për shqiptarët në rajon”, theksoi Bushati.

Ministri i Jashtëm shtoi se në takim u fol edhe për situatën në Kosovë: “SHBA qëndrojnë pranë autoriteteve të Kosovës përsa i përket dialogut me Serbinë”.

Bushati theksoi se tema kryesore përsa i përket politikës së brendshme ishte reforma në drejtësi: “Kerry tha se reforma në drejtësi bën diferencën në raport me vendet e tjera për t’i dhënë mundësi kapitalit amerikan të vërshojë në Shqipëri. SHBA-të e shohin reformën edhe në funksion të përshpejtimit të integrimit europian në Shqipëri”.

Top Channel