Vizita 4-orëshe e John Kerry në Tiranë

14/02/2016 15:20

Avioni i Sekretarit amerikan të Shtetit u ul në Aeroportin “Nënë Tereza” në orën 09:45. Për një vizitor të tillë është rezervuar edhe pritja me tapetin e kuq tek shkalleë e avionit.

Takimi i parë i Sekretarit Kerry me një zyrtar shqiptar ka qenë ai me kreun e shtetit, zotin Bujar Nishani. Një takim i pazakontë ky tek shkallët e avionit, që ka zgjatur rreth 5 minuta.

Më pas, Sekretari i Shetit ka hipur në makinën e Ambasadës amerikane për t’u nisur drejt kryeqytetit dhe për të vazhduar takimet protokollare.

Eskorta e tij ka ndjekur itinerarin e paracaktuar, nga Rinasi në autostraden Kashar-Tiranë, e cila që nga ora 07:00 ishte boshatisur për të qenë në dispocizion vetëm të makinës së Sekretarit Kerry, sigurisë së tij personale dhe forcave të sigurisë së policisë shqiptare.

Më herët, mjediset publike dhe ndërtesat ku do të zhvilloheshin takimet ishin kontrolluar nga policia.

Një helikopter i forcave ushtarake ka shoqëruar në një lartësi të ulët eskortën nga Rinasi deri në selinë e Kryeministrisë. Ndërsa në ndërtesat e larta përgjatë gjithë itinerarit ishin vendosur snajperat e Gardës.

Në sheshin “Skënderbej” të shumtë ishin edhe qytetarët që kishin dalë për të përshendetuar ardhjen e Sekretarit Kerry. Si kundër ka pasur edhe nga ata që datën 14 shkurt nuk e lidhnin me vizitën e Sekretarit Kerry.

Në godinën e Kryeministrisë, Sekretari Kerry u prit nga homologu i tij, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, me të cilin zhvilloi dhe takimin e parë zyrtar.

Takimi me kryeministrin Rama zgjati rreth gjysmë ore. Pas deklaratave të përbashkëta, Sekretari Kerry ka udhëtuar me këmbë nga selia e Kryeministrisë për në hotel “Rogner”, për t’u takuar me kryetarin e opozitës, Basha.

Rruga e shkurtër ka qenë një mënyrë e mirë që shumë qytetarë të Tiranës të përshendeten me Sekretarin amerikan të Shtetit.

Pas takimit me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, Sekretari iu drejtua Muzeut Kombëtar ku takoi një grup të rinjsh, të shkolluar në Shtetet e Bashkuara me bursa të dhëna nga Ambasada apo agjencitë amerikane. Pas këtij takimi, zyrtari amerikan u përshendet me qytetarët e shumtë që po prisnin përballë muzeut.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar, takimet kanë zgjatur më shumë duke shtyrë edhe axhendën në tërësi. Në orën 13:27 Sekretari Kerry la kryeqytetin për t’iu drejtuar aeroportit.

Top Channel