Vizita e Kerry-t, ministrja Kodheli: E rëndësishme për sigurinë në vend dhe rajon

14/02/2016 00:00

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ishte e ftuar në studion e lajmeve të Top Channel, ku foli për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri. Ministrja ishte e pranishme në takimin e zhvilluar në Kryeministri.

Ministrja e Mbrojtjes e cilësoi vizitën e Sekretarit amerikan, John Kerry si tejet pozitive për sigurinë në vend, po ashtu edhe në rajon. Ajo tha se Shqipëria, si dhe vend anëtar i NATO-s, ka bërë më të mirën në luftën ndaj terrorizmit, ndërsa shtoi se vendi ynë ta rrisë prezencën ushtarake në Afganistan.

TCH: Duke i bërë një bilanc vizitës së Sekretarit Kerry, çfarë solli ajo në raportet Shqipëri-SHBA?

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli: Vizita është më shumë se sa pozitive. Në fakt, ajo nuk sjell vetëm risi në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, por është diçka pozitive për sigurinë në vend, rajonin dhe më shumë se kaq. Këtë Sekretari Kerry e transmetoi në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet konferencës së tij për shtyp, aq më shumë e transmetoi nëpërmjet bashkëbisedimit që pati me Kryeministrin Rama dhe të gjithë pjesën tjetër të delegacionit.

TCH: Lufta e përbashkët ndaj terrorizmit dhe ISIS ishte një nga çështjet kryesore që u diskutuan sot. Si do të vazhdojë partneriteti në këtë drejtim dhe çfarë i kërkohet Shqipërisë?

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli: Shqipëria është vendi i parë që i është përgjigjur koalicionit kundër terrorizmit, vendi i parë nga të gjitha vendet anëtare në NATO. Katër donacione kanë qenë më shumë se sa të rëndësishme për qeverinë Peshmerga në luftën kundër terrorizmit në një zonë të nxehtë. Nuk ka qenë vetëm kjo ngjarje pjesë e falenderimit, pasi Shqipëria është prezente me trupat e saj edhe në Afganistan, ku me shumë mundësi do ta rrisim prezencën në Bagdad, ashtu siç bisedohet se do ta rrisim prezencën edhe në misione të tjera të NATO-s. Nga Sekretari Kerry kemi marrë falenderime dhe superlativa, të cilat realisht i kemi merituar sepse djemtë tanë kanë bërë më të mirën.

TCH: Kryeministri Rama theksoi pas takimit me Sekretarin Kerry se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë deri në fund krah SHBA-ve në misionet ushtarake ndërkombëtare. Si ministre e Mbrojtjes ç’mund të na thoni më shumë për këto misione?

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli: NATO do të vazhdojë të jetë gjatë në Afganistan. Po ashtu, NATO do të jetë gjatë edhe me misionet e trajnimit në Irak. NATO do të vazhdojë të jetë prezente edhe në Mesdhe, për shkak të problemeve që ka me refugjatët. Dhe sigurisht që do të vazhdojë prezente përgjatë të gjithë kufirit lindor me Rusinë. Kjo e angazhon Shqipërinë në forcën e armatosur të saj, ashtu siç angazhon të gjitha vendet në NATO për më shumë trajnime, për më shumë misione dhe më shumë operacione, për më shumë impenjim. Ndaj edhe Sekretari Kerry ka qenë më shumë se i drejtpërdrejtë kur ka kërkuar se shpenzimet për Forcën e Armatosur, për mbrojtjen dhe sigurinë, duhet të rriten sepse vetë situata gjeopolitike e sigurisë është në pikëpyetje të madhe.

Top Channel