Basha takon mësuesit e shkarkuar: Arsimtarët janë në presion

07/03/2016 12:40

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, në ditën e 7 marsit takoi mësues që janë pushuar nga puna – sipas tij, – për arsye politike. Basha tha se sot, që të punosh në arsim, duhet të jesh anëtar i Partisë Socialiste.

“Vërtet më hodhën në rrugë të madhe, por tufën me karafila që ma dërguan sot nxënësit e mi, nuk ma ndaluan dot”, tha një nga ish-mësueset.

Kjo ishte një nga ish-mësueset e larguara nga puna, me të cilat Lulzim Basha ndau shqetësimin e opozitës se, këto 3 vite arsimi shqiptar po përballet me partinë-shtet.

“Ka një rrugë për të qenë mësues sot dhe këtë e pamë javën e kaluar. Rruga është të anëtarësohesh në Partinë Socialiste. Ky është fundi i çdo standardi, kjo nuk është reformë, por është antireformë me pasoja të rënda për vendin, nxënësit dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Basha.

Sipas Bashës, qeveria e ka braktisur arsimin edhe me uljen e investimeve.

“Kanë kaluar tre vite dhe asnjë shkollë të re, ndërsa shkollat e rikonstruktuara numërohen me gishtat e dorës. Asnjë shkollë të re”, shtoi më tej Basha.

Zoti Basha përsëriti premtimin e shfuqizimit të ligjit për arsimin e lartë, sapo Partisë Demokratike t’i besohet qeverisja e vendit.

Top Channel