7 Marsi, mesazhe mbështetjeje për shkollën dhe arsimtarët

07/03/2016 00:00

Në kuadër të festës së mësuesve, kreu i qeverisë Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ishin në Shkodër në shkollën “28 nëntori”, ndërsa urimin e tij për këtë rast, kryeministri zgjodhi ta jepte edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Privilegj t’u uroja 7 marsin mësuesve të “28 Nëntorit” të Shkodrës, nr.1 në Shqipëri për rezultatet në 2015. Gëzuar festën të gjithë mësuesve!”, shkruan Rama.

Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi, institucioni i cili drejton ka në varësi arsimin profesional, 7 Marsin e shfrytëzoi për të takuar në Tiranë, drejtues e mësues të shkollave profesionale nga i gjithë vendi.

Ndërkohë në kuadër të festës së 7 marsit, Bashkia e Tiranës përuroi shkollën e rikonstruktuar “Qemal Stafa”. Përfundimi i këtij investimi u shfrytëzua nga kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të uruar mësuesit në ditën e shënuar.

Ndërsa ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është ndalur në shkollat e mesme “Sami Frashëri” dhe “Myslym Keta”. “Duke përdorur eksperiencën time, për t’ju thënë modestisht, jepini mundësinë nxënëseve dhe nxënësve të jenë ata që duan të jenë, të jenë të lire, të kenë mundësinë të mendojnë ndryshe, të kenë mundësitë të përballen me idetë e tyre, të kenë mundësinë të përballen me të kundërtat e tyre dhe të kenë mundësinë të forcojnë bindjen për të vazhduar përpara, të lirë në rrugën e tyre”, tha Tahiri.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka kaluar festën e mësuesve me mësuesit e Qendrës së Gjuhëve të Huaja. Ministrja Kodheli e konsideroi si të pazëvendësueshëm rolin e mësuesit, pavarësisht zhvillimeve teknologjike.

“Sot gjërat kanë ndryshuar. mënyra e të nxënit ka ndryshuar. Kohët kanë ndryshuar. Shpejtësia me të cilën informacioni ndahet është rritur pafundësisht për shkak të përparimit të teknologjisë. Por, për t’u bërë një njeri i ditur, nuk të mjafton interneti, nuk mjafton globalizmi dhe nuk mjaftojnë të gjitha njohuritë të cilat mund të marrësh në gjykimin tim, krejt sipërfaqësore nëpërmjet kësaj metode. Mësuesi, profesori, mbetet i pazëvendësueshëm. Të nxënët thellë dhe me baza, është një gjë që vetëm ju si profesion mund t’ia transmetoni brezave që vijnë”, tha ministrja Kodheli.

Top Channel