Refugjatët, Gjebrea: Kemi gati planin, por duhet edhe BE

07/03/2016 00:00

Kriza e refugjatëve sirianë ende nuk e ka prekur Shqipërinë në mënyre masive. Disa grupe klandestine janë kapur e kthyer pas në Greqi, por alarmi se refugjatët do të kërkojnë një rrugë të re është dhënë.

Pjesë e kësaj rruge mund të jetë Shqipëria, nëpërmjet së cilës refugjatët të kalojnë në Itali. Roma e ka dhënë alarmin me kohë. Kur do vijnë? Sa do na prekin? A jemi në gjendje që t’i presim? Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të hënë në Top Story ishte zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea, Avenir Peka nga Partia Demokratike dhe analistët Arjan Vasjari dhe Ilir Kulla.

Zv.ministrja Gjebrea e nisi fjalën duke renditur një sërë masash të marra nga qeveria, ku përfshihet këtu edhe përforcimi i kontrolleve në terren në kufirin me Greqinë përmes një marrëveshjeje me Italinë, ku për herë të parë që pas luftës italo-greke, në këtë kufi do të zbresin policë italianë.

Megjithatë, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Avenir Peka tha se qeveria është e papërgatitur për pritjen e refugjatëve dhe nuk ka asnjë plan konkret përballë një fluksi të mundshëm.

Gjebrea hodhi poshtë këtë pretendim.

“Nuk kemi thënë asnjëherë që nuk jemi gati. Kemi një plan emergjent që ka qenë i pari në rajon krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Kemi një plan për një fluks të mundshëm dhe jemi në bisedime me partnerët dhe me Bashkimin Europian sepse nuk mund ta përballojmë të vetëm ne. Ne kemi gati faturën financiare, kemi planin dhe duam mbështetjen financiare nga BE nëse do të ketë një fluks refugjatësh”, tha Gjebrea.

Avenir Peka foli edhe për rrezikun që vala e emigrantëve të ringjallë rrugët e trafikut të klandestinëve me Italinë, por zv.ministrja Gjebrea e hodhi poshtë këtë.

“Skenari më i rrezikshëm është ai me Italinë, por ne nuk do të lejojmë që të riaktivizohen rrugët e vjetra të trafikut dhe për këtë ishte edhe ministri i Brendshëm në Romë për të forcuar sigurinë në vend dhe për të mos lejuar elementët radikalë dhe që përbëjnë rrezik për sigurinë e shoqërisë sonë”, tha ajo, duke shtuar se do të ketë patrullime të vazhdueshme dhe të përbashkëta me palë italiane si në tokë, ashtu edhe në det.

Ndërkohë, në lidhje nga Shkupi, zv.kryeministri i Maqedonisë, Festim Besimi, nisur edhe nga përvoja e fqinjit tonë lindor, tha se vendime të njëanshme të vendeve të rajonit nuk është një zgjidhje. Ai kërkoi më shumë koordinim mes vendeve të rajonit për përballimin e krizës.

Gjebrea vijoi me planin e masave. Ajo tha se bëhet fjalë për një plan që parashikon në hollësi mënyrën e pritjes, trajtimit dhe thjeshtëzimit të lëvizjes së tyre drejt destinacioneve përfundimtare, që janë vendet e Bashkimit Europian.

Zv.ministrja tha se ekziston rreziku që mes emigrantëve ekonomikë të infiltrohen elemente ekstremiste dhe se për këtë plani i përballimi të fluksit të mundshëm vë në lëvizje shërbimet inteligjente, si atë Shtetëror edhe atë Ushtarak.

Top Channel