Në pritje për rrugën e Shqipërisë, refugjatët nuk hyjnë në Serbi

08/03/2016 00:00

Refugjatët arrijnë në Ballkan, por nuk janë më të mirëpritur. Një numër i vogël ka hyrë në Serbi nga Mali i Zi, përmes “rrugës së re ballkanike”, por është një pikëpyetje e madhe për më tutje.

Të gjithë presin të nisë rruga e re drejt Shqipërisë, ndërsa malazezët dhe boshnjakët kanë deklaruar se mund t’i ndihmojnë me transport, por për ta nuk ka vend. Refugjatët me dokumente mund të shkojnë edhe më tutje, por të gjitha rrugët tani janë të mbyllura.

Radosh Gjuroviç, nga Qendra për Ndihmë ndaj Azilantëve, i angazhuar prej vitesh me refugjatët, thotë se samitet dhe vendimet politike pa marrëveshje nuk do të ndihmojnë për asgjë. Zbatimi i marrëveshjeve pa zgjidhje do të krijojë vetëm kaos në të gjithë Ballkanin.

“Faktikisht rruga është mbyllur. Zgjidhjet dhe masat mund të hyjnë në fuqi në qershor, por se çfarë do të bëjmë deri atëherë, nuk dihet. Mendoj se nuk do të ndodhë asgjë e mirë. Drejtimi në një rrugë nuk do të zgjidhë shumë. Ne kemi rreth 30 azilantë që kanë ardhur nga Mali i Zi, por këto janë vetëm tregues çfarë mund të ndodhë”, tha Radosh Gjuroviç, Drejtor i Qendrës për Azil në Serbi.

Policët e rajonit u munduan të gjejnë zgjidhje, por Perëndimi është ngopur me emigrantët.

Kalime ilegale ka gjithandej, por jo në numra të mëdhenj. Edhe vet hungarezët, që kanë paralajmëruar dënim me burg nga 3 deri në 5 vite, nuk kanë parà as për burgun, ndaj dhe nuk i mbajnë refugjatët që kalojnë gardhin e hekurt të Europës.

Gjuroviç thotë se, masat do të ndihmojnë vetëm në kthimin e regjimit të vjetër, të “tregtisë” me qeniet njerëzore.

“Mund të kthehemi në regjimin e para vitit 2015. Do të jetë si më parë, por numri i refugjatëve do të jetë më i vogël. Çmimi i tregtisë së qenieve njerëzore do të rritet. Ne këtu harrojmë fatin e emigrantëve, pasi të gjithë flasim për zgjidhje teorike, por këta njerëz nuk kanë më çfarë të humbasin”, tha më tej Radosh Gjuroviç.

Nga Maqedonia për në Serbi, për herë të parë numri i azilantëve është zero. Procedurat e azilit zgjasin në Ballkan, edhe pse mbi 1.000 persona kanë kërkuar azil. Ekspertët thonë se, pa dhunë, rruga e refugjatëve drejt Europës nuk do ndalojë, në një situatë kur Ballkani ka dryrin dhe Europa çelësin.

Top Channel