Mes Lindjes dhe Perëndimit, qëndrim i ftohtë i vendeve të reja anëtare ndaj refugjatëve

09/03/2016 00:00

Ndërsa Perëndimi i Europës kërkon si në ethe zgjidhje për krizën e refugjatëve, Lindjes së kontinentit të vjetër kjo tragjedi njerëzore duket se nuk po i bën dhe aq shumë përshtypje.

Ekspertët shohin në këtë situatë një krisje të re mes dy blloqeve: atë të vlerave.

Kriza financiare e ndau Bashkimin Europian në kreditore e debitore, duke hapur një hendek të thellë mes Veriut të Europës dhe Jugut të saj. Tani po rikthehet fantazma e ndasive Lindje-Perëndim.

Jo vetëm që po përjetojmë një mungesë akute solidariteti, – mendon analisti bullgar, Ivan Krastev, – por po shohim përplasjen e interesave kombëtare, etnike e fetare, me atë që duhet të jetë detyra jonë si qenie njerëzore.

Europianët lindorë nuk e ndiejnë veten të detyruar të shfaqin të njëjtën përgjegjësi ndaj atyre që u largohen dhunës dhe represionit në rajone të tjera, siç do ta bënin me bashkëkombasit e tyre.

Kriza e refugjatëve, – për Krastev, – dëshmon se Lindja ndihet e kërcënuar pikërisht nga ato vlera, mbi të cilat mbështetet Bashkimi Europian dhe të cilat, shumë në Perëndim i konsiderojnë universale, i shohin si bërthamën e identitetit europian.

Në Gjermani, një numër i madh qytetarësh është përfshirë në nisma private për të ndihmuar azilkërkuesit, por qytetarëve të Lindjes, mundimet e atyre njerëzve i lënë krejtësisht të ftohtë.

Ky rikthim i “perdes” Perëndim-Lindje, – thotë analisti bullgar, – nuk është thjesht një koinçidencë e pafatë. I ka rrënjët thellë në histori, në demografi e në turbulencat e periudhës tranzitore postkomuniste. Europa Qendrore, – kujton Krastev, – i njeh shumë më mirë se pjesa tjetër përfitimet, por edhe atë që është ana e errët e shoqërive shumëkulturore.

Top Channel