Itali, takime të ethshme mbi valën e pritshme të refugjatëve

10/03/2016 00:00

Në nivelet më të larta të institucioneve italiane po diskutohet tanimë konkretisht mbi mundësinë e valës së refugjatëve që mund të mbërrijë në vend.

Kreu i shtetit, Sergio Mattarella organizoi një takim në Presidencë me kryeministrin Matteo Renzi, si dhe disa ministra, përfshi Paolo Gentilonin e Punëve të Jashtme, Angelino Alfanon e Punëve të Brendshme dhe atë të Ekonomisë, Pier Carlo Padoan.

Mesa dihet, takimi ishte organizuar në kuadrin e përgatitjes për mbledhjen e Këshillit Europian të 17 marsit, kushtuar pikërisht temës së nxehtë të refugjatëve.

Nga njëra anë, ministri i Brendshëm Alfano tregohet i bindur se, mund të mbështetet në bashkëpunimin e plotë të Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Ai bën të ditur se, me Shqipërinë mendohet të nënshkruhet sa më shpejt një memorandum, që të parashikojë mbështetje operative në këmbim të kontrollit të hekurt kundër skafistëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore.

Por, nga ana tjetër shtrohet pyetja sesi mund të përballohet vala e mundshme e refugjatëve.

Teorikisht, nëse dhjetëra mijëra refugjatët mbërrijnë në Itali, duhen pritur dhe riatdhesuar ata që nuk kanë të drejtën për azil politik. Por procedurat janë të gjata dhe të kushtueshme, e tani për tani Europa nuk jep asnjë lloj asistence.

Top Channel