Kundër dhe për refugjatët; Blushi: Të hapim kufijtë, jo mure

10/03/2016 00:00

Miqësia mes Ben Blushit dhe Saimir Tahirit vazhdon tashmë vetëm në pauza të shkurtra cigaresh mes seancave të Kuvendit. Pas cigareve dhe para mikrofonëve, dy miqtë tashmë janë kundër njëri-tjetrit në gjithçka: edhe për refugjatët sirianë.

“Çfarë do të bëjmë ne, do të mbyllim kufijtë? Do të ngremë mure, do t’i dëbojmë me polici apo me ushtri, siç kanë bërë vendet përreth nesh? Unë mendoj që kjo nuk do të ishte një zgjidhje. Ne s’duhet t’i mbyllim derën askujt. Nuk është një çështje leverdie, sepse humanizmi nuk është çështje leverdie, por solidariteti. Siç na kanë pritur neve të tjerët, ashtu duhet t’i presim edhe ne, ata që i ikin sot luftës”, tha Blushi gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Por Saimir Tahiri e sheh çështjen nën dritën e funksionit të tij, si ruajtës i Rendit dhe i Sigurisë.

“Shqipëria kurrë nuk ka diskutuar as për të ngritur mure në kufi, por as për të hapur kufijtë. Kjo, sepse asnjë zgjidhje nuk vjen dot në mënyrë të qëndrueshme, në rast se nuk zgjidhet në mënyrë të përbashkët nga të gjitha vendet. Ndaj dhe ne nuk duhet të lejojmë kurrë, që në emër të solidaritetit dhe të humanizmit, të tolerojmë neglizhenca të vogla, siç ka ndodhur në të kaluarën, që shfrytëzohen nga rrjetet kriminale dhe terroristët”, iu kundërpërgjigj ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Top Channel