Refugjatët nxisin bashkëpunimin. NATO-BE, më të fortë për njëri-tjetrin

10/03/2016 00:00

Në përgjigje të krizës më të rëndë të refugjatëve pas Luftës së Dytë Botërore, Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe Bashkimi Europian po punojnë së bashku më shumë se më parë.

Në një vizitë në Komisionin Europian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjenerali Jens Stoltenberg u takua me Presidentin e KE-së, Jean-Claude Jucker.

Përfaqësuesi më i lartë i NATO-s theksoi rëndësinë jetike të marrëdhënieve ndërmjet aleancës ushtarake dhe instancave më të larta të unionit.

“Bashkëpunimi është diçka për të cilën ne kemi nevojë më shumë se kurrë, sepse po përballemi me një mjedis shumë të vështirë sigurie. Unë besoj se, një Europë e fortë është e mirë për NATO-n, dhe se një NATO e fortë është e mirë për Europën. Ndaj ne jemi duke zgjeruar bashkëpunimin dypalësh”, tha Jens Stoltenberg.

Sipas Stoltenberg, NATO është tashmë e pranishme në ujërat territoriale të Greqisë dhe Turqisë, dhe se po planifikon të shtrijë patrullat e saj edhe më në jug, gjatë ditëve të ardhshme. Sipas burimeve, 5 anije luftarake të NATO-s do të patrullojnë tani e në vazhdim në ujërat e detit Egje.

Kjo lëvizje ndihmon vendet e prekura nga kriza dhe agjencinë europiane të mbrojtjes së kufijve të jashtme të BE-së, FRONTEX, të luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore. Ndërhyrja e paprecedentë në krizën e emigrantëve në detin Egje do të marrë përmasa edhe më të mëdha nga bashkimi i anijes së flotës mbretërore britanike.

Top Channel