Mundësia e kalimit të refugjatëve sirianë dhe irakianë nga Greqia në Shqipëri, tani që rruga kryesore e Ballkanit për në Europë është mbyllur, përbën shqetësim për një sërë organizatash të të drejtave të njeriut dhe ekspertësh ligjorë.

Një lëvizje e tillë do t’i shtynte sipas tyre emigrantët drejt trafikantëve të qenieve njerëzore të lidhur me grupe shqiptare të krimit të organizuar. Në vitet 1990, pas luftrave të Ballkanit, forcat policore të Europës i konsideronin bandat e shqiptarëve si ndër aktorët kryesorë në trafikimin e grave për qëllime seksuale në kontinent. Në një intervistë per “Zërin e Amerikës”, Iman Aoun e organizatës “Save the Children” thotë se kanë informacione që refugjatët në Idomeni dhe zona të tjera të shtetit helen e diskutojnë mundësinë e kalimit përmes Shqipërisë, edhe pse e dinë se është rrugë më e vështirë.

Përveç krimit të organizuar, rreziku shtohet, sipas saj, pasi ka më pak agjenci ndërkombëtare për të ndihmuar me strehim, ushqime apo shërbime. “Save the Children” dhe organizata të tjera janë duke diskutuar tani mundësinë e vendosjes së disa ekipeve në Shqipëri. “VOA” citon gjithashtu dhe Matteo Albertini-n, ekspert i grupeve kriminale italiane dhe shqiptare, të pajtohet me shqetësimet e organizatave të mësipërme se “ka shtigje për abuzim”.

Shumë do të varet, sipas tij, nga situata në vazhdim, nëse do të ketë apo jo mbyllje të mëtejshme të kufijve. Kjo do ta bënte gjendjen edhe më të vështirë, mendon eksperti, që i mëshon idesë se mbërritja e emigrantëve në Shqipëri bart në vetvete rrezikun e nje rigjallërimi në rrugën e kontrabandës përgjatë Adriatikut, duke lidhur grupet italiane dhe shqiptare të krimit të organizuar.

Top Channel