Greqi, prag katastrofe me refugjatët. Në shi e baltë, me sëmundje infektive

13/03/2016 00:00

Një javë pas mbylljes totale të kufijve me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, rreth 13 mijë refugjatë, 4.000 prej të cilëve fëmijë, janë zgjuar për të tretën ditë me radhë në mes të shiut, baltës dhe pellgjeve me ujë, që rrethojnë çadrat, si dhe temperaturave të ulëta në kampin pranë fshatit Eidomeni.

“Mjekët pa kufij”, personeli i organizatave joqeveritare, si dhe mediat e përshkruajnë situatën e orëve të fundit si më tragjiken e të gjithë periudhës së shpërthimit të krizës së refugjatëve, duke shprehur shqetësimin sidomos për shëndetin e tyre, pasi është vërtetuar një rast me hepatitin e tipit A. Ka dyshime për një rast të dytë, si dhe për një tjetër rast me leptospirozë, sëmundje infektive që vjen si shkak i kushteve të këqija higjienike.

“Dje dhe pardje ka qenë stuhi e madhe. Kemi dhe foshnja, nuk e di çfarë të them. Shpresoj që e gjithë Europa të na ndihmojë, sepse ne u larguam nga bombat, lufta dhe kemi nevojë për nje jetë më të sigurtë”, thotë një refugjat sirian.

Megjithëse autoritetet greke kanë shpërndarë fletushka në tri gjuhë, për të njoftuar se kufijtë nuk do të hapen dhe se, kush dëshiron mund të shpërngulet në kampet e hapura në Greqinë e Veriut, deri tani askush nuk pranon të largohet, madje disa refugjatë vendosën fëmijët e tyre mbi shinat e trenit, në mënyrë simbolike për të protestuar për mbylljen e kufijve.

Pas mbërritjeve që nuk rreshtin çdo ditë, në të gjithë vendin ndodhen gjithsej mbi 44 mijë refugjatë. Në ishujt janë rreth 8.900, ndërsa 5.300 vetëm në Lesbos. Në Qarkun e Athinës numërohen 11 mijë, prej të cilëve 3.300 në Portin e Pireut.

Në Greqinë Qendrore janë plot 1.100, prej të cilëve 260 në Ftiotida, 200 në Trikala, 400 në Larisa dhe 242 në Magnesi. 160 janë të zhvendosurit në Konicë. Ndërsa në Greqinë e Veriut, përveç Eidomenit me rreth 13 mijë vetë, 3.640 të tjerë ndodhen në kampin Xerso në Kilkis, 3.370 në Polikastro, 709 në Kavala, 210 në Elefteroupoli, 413 në Kozan dhe 2.000 vetë në Diavata, pranë Selanikut.

Organet greke vlerësojnë se, me gjendjen e krijuar, duhet që të vendosin shërbime mjekësore për sëmundjet infektive edhe në 5 “hotspotet” që funksionojnë në Greqinë e Veriut.

FOTO GALERI
1/1
Harta e shpërndarjes së refugjatëve në Greqi

Top Channel