Refugjatët, zyrtarizohet paketa 700 mln euroshe e ndihmës

16/03/2016 00:00

Paketa e ndihmës deri në 700 milionë euro për refugjatët, e parashikuar deri në fund të 2018-s, u vendos përfundimisht.

BE tregon se, “në këto kohë të vështira qëndron në anën e Greqisë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Holandës, Bert Koenders, vendi i të cilit kryeson aktualisht Këshillin Europian.

Plot 35 mijë refugjatët e bllokuar në shtetin helen për shkak të mbylljes së rrugës ballkanike kanë nevojë urgjente për ndihmë, por parà nga fondi i caktuar për emigrantët mund të marrin edhe shtete të tjera, që ndodhen në situata humanitare të vështira.

Qëllimi i kësaj pakete ndihme është të plotësohen nevojat themelore të azilkërkuesve, siç janë ato me ushqime, ujë të pijshëm, strehim apo ilaçe. Nga ndihma, 300 milionë euro janë parashikuar të lëvrohen këtë vit, ndërsa nga 200 milionë do të jepen për secilin prej dy viteve të ardhshme.

Ndërkohë, mësohet se refugjatët që kaluan kufirin me Maqedoninë janë joshur përmes fletëpalosjeve, diçka që u dënua ashpër nga kryeministri grek Alexis Tsipras.

“Kjo lojë me jetët e njerëzve duhet të marrë fund”, deklaroi ai në Athinë. Refugjatëve në Idomeni iu ishin shpërndarë fletushka me informacione të hollësishme, sesi mund të hynin në territorin maqedonas përmes kufirit të gjelbërt.

Në fund të fletushkës ishte shkruar “Komanda Norbert Blum”. Tsipras e cilësoi veprimin “një sjellje të rrezikshme në kurriz të refugjatëve”. Ai u bëri thirrje emigrantëve që të kenë besim te qeveria greke dhe të shkonin nga Idomeni në kampet e pritjes, duke ua bërë të qartë edhe një herë se, itinerari ballkanik nuk do të hapet më.

Top Channel