Masat “antiPanama” në BE, kompanitë do të deklarojnë çdo euro

12/04/2016 00:00

Ligje të reja pritet të hyjnë në fuqi në Bashkimin Europian, nëpërmjet të cilave kërkohet realizimi i një transparence më të madhe financiare, pas skandalit të “Panama Papers”.

Komisioni Europian kërkon që kompanitë shumëkombëshe të bëjnë të ditura fitimet, parajsat fiskale, si dhe taksat e paguara në çdo shtet të Europës ku ato operojnë. Ndër të tjera, këto kompani duhet të deklarojnë nga e para llojin e aktivitetit që kryejnë, numrin e të punësuarve që kanë në çdo filial, si dhe fitimin përpara taksimit.

Disa prej tyre janë kompanitë më të fuqishme të botës, duke përfshirë “Apple”, “Google” apo “Starbucks”, të cilat realizojnë më shumë se 750 milionë euro shitje.

Ligji i ri rregullator vjen në një mjedis, ku aktualisht ekzistojnë një sërë rregullash raportimi që aplikohen mbi bankat, industrinë minerare dhe kompanitë pyjore. Por, sipas propozimeve të reja ato do të zgjerohen, duke përfshirë rreth 6.000 kompani ndër më të mëdhatë e botës, të cilat 90% të të ardhurave të koorporatave i sigurojnë në Bashkimin Europian.

Sipas ekspertëve, kjo është diçka e mirë për konkurrencën, pasi balancon tregun e koorporatave të mëdha dhe firmave të vogla, teksa këto të fundit shpesh kanë disavantazhe. Sipas të dhënave të Brukselit, qeveritë në BE humbasin deri në 70 miliardë euro në vit vetëm nga shmangia që u bëjnë taksave kompanitë e mëdha.

Top Channel