Presidenti maqedonas, George Ivanov, përmes një vendimi ka amnistuar të gjithë politikanët e pushtetit dhe opozitës, të cilët janë nën hetime dhe ndiqen penalisht.

Me këtë vendim pritet të lirohen nga ndjekja, kryesisht politikanët që po hetohen nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, si ish-ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Transportit, Gordana Jankulovska dhe Mile Janakievski, si dhe ish-drejtori i Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov.

Presidenti Ivanov tha se, vendimin e ka marrë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

“Me qëllim që të kontribuoj në zgjidhjen e krizës, në relaksimin e raporteve dhe uljen e tensioneve mes forcave politike dhe mbështetësve të tyre, i vetëdijshëm për pasojat për shtetin dhe qytetarët nëse nuk ndërmerret diçka, si dhe me besimin e fortë se po marr një vendim në interes të shtetit, kam vendosur që të urdhëroj ndërprerjen e të gjitha procedurave të nisura hetimore. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe si të tillë do ta mbroj deri në fund”, tha George Ivanov, President i Maqedonisë.

Vendimi i presidentit maqedonas përfshin edhe kreun e partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, i cili akuzohej për rastin e njohur me emrin “Puçi”. Por Ivanov nuk bëri të ditur, nëse me vendimin e tij lirohet edhe kryebashkiaku i Pustecit, Edmond Themelko, i cili akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve në Maqedoni.

Në reagimin e parë të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup thuhet se, vendimi i Presidentit Ivanov ngre shqetësime serioze rreth angazhimit të Maqedonisë për sundimin e ligjit.

Muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë shfuqizoi një ndalesë të ligjit për amnisti dhe i dha të drejtë presidentit për të falur politikanë të dyshuar për mashtrime zgjedhore dhe vepra të tjera penale.

Top Channel