Tjetër tërmet i fuqishëm në Japoni, tronditet jugu i vendit-ishull

15/04/2016 00:00

Një tërmet i fuqishëm ka rënë në afërsi të qytetit Kumamoto, në jug të Japonisë, një ditë pasi një lëkundje sizmike u mori jetën 9 personave.

Tërmeti me magnitudë 7.1 u verifikua në një thellësi prej 10 km, në 01:25, me orën lokale. Ai u pasua nga një tjetër tërmet më vonë, por më i lehtë.

Autoritetet lëshuan alarmin për tsunami, por më vonë e kanë tërhequr atë. Japonia goditet vazhdimisht nga tërmetet, por rregullat e forta për ndërtimin e shtëpive bëjnë që rrallë herë atje të verifikohen dëme serioze.

Tërmeti 6.2 ballësh i së enjtes shkaktoi frikë në disa zona, për shkak të efekteve të trashëguara nga tërmeti fatal i vitit 2011 që tronditi vendin.

Shumica e viktimave ndodheshin në qytetin Mashiki, në rajonin Kjushu, në jug-perëndim të Japonisë, ku një pallat u shemb dhe shumë shtëpi përdhese u dëmtuan. Ndërkohë, të plagosur mbetën mbi 1 mijë persona.

Lëkundja e 5 viteve më parë shkaktoi një tsunami të fuqishëm që përfshiu impiantin bërthamor në Fukushima.

Top Channel