Skandali i Panamasë, Britania njofton masat kundër evazionit fiskal

15/04/2016 00:00

Britania dhe aleatët e saj europianë kanë njoftuar se, së shpejti do të miratojnë rregulla të reja kundër evazionit fiskal, në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj skandalit të “Panama Papers”, ku njerëzit më të fuqishëm të botës kishin arritur të fshihnin pasuritë e tyre nga organet tatimore.

Ministri britanik i Financave, George Osborne bëri me dije bashkëpunimin me homologët e tij francez, italian, spanjoll dhe gjerman, për ligje të reja që konsistojnë në ndarjen automatike të informacionit në lidhje me pronarët e vërtetë që fshihen pas kompanive, si ajo e “Mossack Fonseca”-s, e cila ndihmonte klientët e saj për të shmangur tatimet, për të bërë pastrim parash, si dhe për të bërë korrupsion.

“Retorika e ashpër për këtë fenomen nuk është e mjaftueshme, pasi në vetvete, fjalët nuk mbledhin asnjë paund apo dollar më shumë në vjeljen e taksave, dhe as nuk vendosin prapa hekurave njerëzit përgjegjës. Ndaj, ajo që na duhet tani është veprimi ndërkombëtar dhe këtë po përpiqemi të bëjmë sot, po ndërmarrim veprime konkrete në luftën kundër evazionit fiskal”, tha George Osborne.

Kancelari i Thesarit, siç quhet në Britani ministri i Financave, tha se ligjet e reja të transparencës financiare do të hyjnë në fuqi në Britani në janar të vitit 2017, teksa shpreson që e njëjta rrugë të ndiqet edhe nga vendet e tjera.

Sipas “Bloomberg”, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar ndodhen nën presionin e Francës, që u thotë se duhet të ndërmarrin reforma, pas përfshirjes së David Cameron në skandal. Por një zëdhënës i Osborne tha se nuk ka asnjë përçarje midis Britanisë së Madhe dhe Francës, apo në mesin e partnerëve të tjerë europianë.

Top Channel