Arrestohet Emiljano Shullazi

17/04/2016 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëron arrestimin e Emiljano Shullazit si i dyshuar për “pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale”.

Burime nga organi i akuzës konfirmuan pas mesnate për Top Channel se arrestimi i Shullazit ka ardhur pas muajve të tërë survejimi nga ana e policisë, të cilat janë finalizuar mbrëmjen e së shtunës.

Tashmë, pas komunikimit të arrestit ndaj Shullazit, dosja hetimore është marrë në administrim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila në fashikujt e saj ka të dokumentuara një sërë përgjimesh të Emiljano Shullazit, por pa dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e tyre apo me akuzat konkrete që pritet të ngrihen ndaj tij.

Ndalimi i Emiljano Shullazit erdhi vetëm pak orë pasi ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi atë se kishte kërcënuar me pengmarrjen e djalit kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në rast se ky i fundit nuk tërhiqej nga gara.

Por, edhe pse ndalim i i tij fillimisht u mendua se kishte të bënte me këtë çështje, mbledhja urgjente e thirrur nga kryeprokurori Adriatik Llalla me Kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, kreun e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dhe Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, solli dhe rakordimin e të gjithë institucioneve dhe finalizimin e akuzës ndaj Emiljano Shullazit.

Emri i Emiljano Shullazit është lakuar shpeshherë nga politika në Shqipëri, por edhe nga ambasadori amerikan Donald Lu, i cili ekzaktësisht 5 muaj më parë përmendi emrin e tij si një nga personat që pengon reformën në drejtësi. Arrestimi i tij vjen vetëm një ditë pasi në Uashington ministri Tahiri nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me FBI-në për të luftuar ndër të tjera edhe krimin e organizuar.

Top Channel