Shullazi, akuza për gjobëvënie, Prokuroria: Dokumentohen dy raste

17/04/2016 00:00

Zbulohen detaje të tjera rreth akuzave të ngritura ndaj 38-vjeçarit Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Gilmando Dani dhe të afërmin Blerim Shullazi, arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Të tre ata do të dalin para gjykatës, të dyshuar për veprat kriminale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale, gjobëvënie dhe shkatërrim prone me eksploziv.

Një burim jo zyrtar i tha Top Channel se janë dy episode të dokumentuara, ajo e kërcënimit ndaj pronarit të një parkingu në Tiranë dhe grabitja e Hotel Vollgas në Durrës. Prokuroria pohon se disponon edhe katër informacione të përcjella nga policia dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, për gjobëvënie ndaj 4 biznesmenëve ndërtimi, të cilët mësohet se e kanë paguar gjobën, por nuk kanë denoncuar.

Gjobëvëniet e Shullazit

Në muajin shkurt shtetasi Arjan Zika ka denoncuar se është kërcënuar nga Shullazi për një parking 1200 metra/katrorë në Tiranë. Top Channel zotëron dëshminë e këtij shtetasi. “Emiljano Shullazi më kërkoi takim. Dikush erdhi e më tha se Emiljano po të pret ta takosh. Kohë më parë kam blerë një sipërfaqe parkingu prej 1.200 metra/katrorë, Emiljano më tha ose blije sërish me çmimin e tregut të sotëm, ndryshe do të vras. E kam takuar katër herë Shullazin dhe nuk pranova”’, thuhet në dëshminë e tij.

Pas kësaj ngjarjeje në dyqanin e kallëzuesit, në datën 13 mars ndodhi një shpërthim me eksploziv. Burime të Top Channel bëjnë të ditur se pas kallëzimit qytetari është larguar nga Shqipëria.

Episodi tjetër për të cilin dyshohet Shullazi ka lidhje me ish-Hotel Vollgan në Durrës, që dyshohet se i është dhuruar përmes kërcënimeve nga pronari.

Shullazi është kthyer një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, disa herë ai është shoqëruar e ndaluar për armëmbajtje pa leje, ndërkohe që akuzën më të rëndë që i ka dhënë atij fajësi me 7 vjet burg, ka lidhje me çështje droge.

Emri i tij u përmend së fundmi nga Ambasadori Amerikan Donald Lu  si një ndër njerëzit që shëtit i lirë, megjithëse ka kryer krime, tha ambasadori.

Shullazi u akuzua ditët e fundit edhe nga ish-kryeministri Berisha se kishte kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Për këtë episod policia po kryen ende verifikimet dhe nuk e ka kaluar ende dosjen në prokurori.

Top Channel