"The Voice Of Albania" është suksesi më i ri i talent show-t botëror, që starton në sezonin e ri në Top Channel për të realizuar ëndrrën e shumë të apasionuarve të muzikës së lehtë.

Dy fjalë për formatin
Ky format mban firmën e "Talpa International Productions" dhe promovon zërat më të mirë të muzikës së lehtë, që duan të lançohen në tregun muzikor. Ky kompeticion bazohet vetëm tek "zëri" i konkurrentit, gjë që e bën të dallojë nga formatet e tjera në botë.

Konkurrenti dhe të drejtat e tij
Në talent show-et e tjera në botë, konkurrentët ndjehen shpesh të kondicionuar t'u përshtaten rregullave të produksionit për sa i përket përzgjedhjes muzikore, stilit, look-ut, etj. "The Voice Of Albania" nuk ka për qëllim të prekë aspak integritetin artistik të konkurrentit, përkundrazi, konkurrenti është ai që vendos për të zgjedhur trajnerin e tij, me të cilin do të punojë dhe kushtet e punës, në mirëkuptim të plotë me produksionin.
Çdo konkurrent do të perfeksionojë talentin e tij artistik. Këngët e përzgjedhura për të do të jenë në stilin që ai di të këndojë më mirë. Zëri i tij, potenciali i tij artistik në skenë janë dy elementët që do ta bëjnë atë të ecë drejt suksesit dhe të rritet profesionalisht.

Ti mund të bëhesh pjesë e THE VOICE OF ALBANIA edhe nëse ke pasur eksperienca të tjera muzikore në skenë! Mjafton të kesh ZËRIN, dhe dëshirën për t'u bërë i suksesshëm!

Trajnerët
Për 17 javë rresht, katër emra të rëndësishëm të muzikës shqiptare, do të jenë në këtë show në rolin e trajnerëve; ata do të përzgjedhin më të talentuarit në këngë, për t'i promovuar drejt suksesit. Secili prej trajnerëve do të formojë një skuadër, të cilën do ta drejtojë deri në fund të spektaklit.

Etapat
Pas fazës paraprake të audicioneve në qytetet kryesore të Shqipërisë e Kosovës, programi kalon në tri faza konkurrimi:

1. Audicionet e fshehura
Janë një element që e bëjnë këtë lloj formati unik në llojin e vet. Quhen të tilla, sepse bazohen vetëm në zërin e konkurrentëve. Trajnerët nuk shohin asnjë nga konkurrentët, por dëgjojnë vetëm zërin e tij, e gjithë kjo për të mos ndikuar në gjykim. Nëse trajnerit i lë mbresa një zë, ai shtyp butonin që përzgjedh konkurrentin në skuadrën e tij. Në këtë çast, ai do të kthehet me fytyrë nga konkurrenti i zgjedhur. Nëse konkurrenti zgjidhet nga më shumë se një trajner, pushteti i kalon konkurrentit, i cili do të zgjedhë se me cilin prej tyre do të dojë të vazhdojë garën.
Trajnerët do t'i përkushtohen përmirësimit të këngëtarëve që kanë nën kujdes, duke i këshilluar e duke ndarë me ta sekretet e suksesit.

2. Betejat
Gjatë raundeve të betejave, konkurrentët do të vihen përballë njëri-tjetrit dy e nga dy, duke kënduar të njëjtën këngë përpara një publiku në studio. Pas përballjes së zërave, do të zgjidhet se cili prej këngëtarëve do të vazhdojë garën.

3. Sfidat Live me orkestrën e Top Channel
Pas përfundimit të sfidave, do të mbeten vetëm konkurrentët më të fortë të secilit trajner dhe do të vazhdojnë me interpretimet live në skenë, shoqëruar nga një orkestër.
Në këtë fazë përfundimtare të garës, konkurrentët më të fortë nga secili ekip do të garojnë kundër njëri-tjetrit në transmetim të drejtpërdrejtë. Publiku televiziv do të votojë për të përzgjedhur vetëm një konkurrent nga secili ekip, duke e lënë trajnerin të vendosë drejtpërdrejt se cilin do të shpëtojë për të vazhduar më tej garën. Në fund, çdo trajner do të ketë mbetur vetëm me konkurrentin më të fortë të ekipit të tij, që do të garojë në natën finale. Nga këta të katërt, zëri më i mirë do të marrë çmimin e madh "The Voice of Albania". Përveç çmimit të madh, ky show do të ofrojë edhe çmime të tjera, si promovime muzikore, kontrata me shtëpi diskografike, etj.

Per te aplikuar, kliko ketu

The Voice of Albania- © Top Channel 2011