Irak, atentat në funeral, 17 të vdekur

30/09/2011 21:35

Një makinë-bombë ka shpërthyer duke vrarë 17 persona dhe plagosur dhjetra të tjerë, gjatë një ceremonie mortore që po mbahej në afërsi të qytetit të Hilës, në Irak.

Shpërthimi ndodhi gjatë pasdites, jashtë xhamisë shiite Nabi Ayub, në qytezën Al Khafaji, bëjnë të ditur burime pranë forcave lokale të sigurisë.

Hila, rreth 100 kilometra në jug të Bagdadit, është një nga rrugët kryesore për pelegrinët që vizitojnë objektet e shenjta shiite në jug të vendit.

Dhuna në Irak ka pësuar rënie që nga vitet 2006 dhe 2007 kur arriti kulmin, por sulmet vetëvrasëse vazhdojnë të jenë të pranishme.

Shpërthimi përfshiu të pranishmit në varrimin e një sheiku lokal, duke shkaktuar përvec viktimave dhe të plagosurve, edhe dëme materiale.

“Unë po rrija në anën tjetër të varrimit dhe papritur ai vend u kthye në një ferr të vërtetë. Shpërthimi preku njerëzit e mi dhe trupat e tyre u dogjën”, ka deklaruar Haider Qahtan, dëshmitar që mbeti i plagosur.

Sipas dëshmitarëve të tjerë, ambulancat që mbërritën në vendin e ngjarjes morën trupat e tre ose katër viktimave, ndërkohë që të tjerat do t’i merrnin në një rrugë të dytë.

“Unë dëgjova shpërthimin, më pas u godita nga xhamat e dritares që u thyen dhe filloi të më dilte gjak”, ka treguar Mohammed Ali, që ishte brenda xhamisë në momentin e shpërthimit.

Deri tani autorësia e atentatit nuk është marrë përsipër nga askush, por militantët sunitë sulmojnë rregullisht xhamitë shiite dhe lagjet, në përpjekje për të rritur tensionet ndëretnike.

Analistë të ndryshëm shprehen se sulmi i sotëm dhe të tjerë të ndodhur kohët e fundit do të vënë në dyshim aftësinë e forcave lokale për të marrë kontrollin e sigurisë pas tërheqjes së atyre amerikane brenda vitit.

Dy javë më parë, një autobombë shpërtheu në një restorant të përdorur nga forcat e sigurisë në Hila, duke lënë të vdekur 15 persona.

Ndërsa dy ditë para kësaj ngjarjeje, 22 pelegrinë shiitë u ekzekutuan në perëndim të Irakut, në rajonin e shkretëtirës, të populluar me sunitë. 

Top Channel