Marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me Greqinë janë në dobësim që prej vitit 2009, ndërsa volumi tregëtar është në rënie të vazhdueshme përsa i përket importeve dhe eksporteve, raportoi mëngjesin e sotëm e përditshmja “Shqip”.

Ndërkohë, transporti dhe shërbimi doganor në Greqi do të paralizohen përsëri për 48 orë nga një grevë e përgjithshme në datën 19 tetor, ndërsa një tjetër grevë e shumë sindikatave është në vazhdim, raportoi e përditshmja “Shqip” në numrin e saj të sotëm.

Pas marrjes së lajmit për shkurtime të mëtejshme të buxhetit dhe kursimeve me 5 miliardë euro deri në 2015-n, punëtorët grekë, të udhëhequr nga dy sindikatat kryesore, kanë përshkallëzuar protestat, duke deklaruar nisjen e grevës, e cila më parë ishte menduar të zgjaste një ditë, por që më pas u vendos të zgjerohej.

Athina, për të dytën ditë rresht, zgjohet pa transport urban, por edhe pa taksi. Ndërkohë, dy sindikatat më të mëdha të sektorit privat, por edhe publik, vendosën që greva e përgjithshme e 19 tetorit të bëhet 48-orëshe.

Në grevën dyditëshe kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre edhe sindikatat e mjekëve, arsimtarëve dhe punonjësve të porteve. Ndërkohë Athina, por edhe qendra të tjera të mëdha urbane të vendit, përballen me rrezikun e sëmundjeve infektive nga mbeturinat që për më se një javë mbeten nëpër rrugë nga greva e punonjësve të këtij sektori.

Sakaq, greva po jep ndikime negative edhe në menaxhimin e plehrave, ndërsa efektet ekonomike janë të pallogaritshme. Pothuajse në të gjitha pikat doganore që ndajnë Shqipërinë me Greqinë është pezulluar puna, duke lejuar vetëm kalimin e individëve, ndërsa bizneset janë detyruar të presin deri në hapjen e sporteleve.

Kriza greke padyshim që po jep ndikim edhe në ekonominë shqiptare, e cila prej saj po merr gjithnjë e më pak mallra, sikurse tregtia sa vjen dhe zvogëlohet.

INSTAT thotë se, me Greqinë eksporti është 5.4 për qind dhe importi 10.6 për qind, me tendencë rënëse nga njëri vit në tjetrin. Gjatë vitit 2009 janë importuar nga shteti fqinj, rreth 67 miliardë lekë mallra, ndërsa një vit më vonë vlera e importeve ishte rreth 62.7 miliardë lekë.

Brenda një viti, nga Greqia erdhën rreth 4.7 miliardë lekë më pak mallra, ndërsa tendenca për rënie të importeve nga Greqia ka vijuar dhe në vitin 2011.

Muaji gusht regjistroi importe me vlerë rreth 4.7 miliardë lekë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë importet ishin 5 miliardë lekë.

Rënia, për periudhën e fundit për të cilën ka të dhëna, është me rreth 6 për qind. Tendenca është e pandryshuar që prej 2009-s, por gjithsesi Greqia së bashku me Italinë vijojnë të jenë që prej rreth 20 vitesh partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.

Në muajin gusht, importet nga Greqia zunë rreth 10 për qind të totalit. Sakaq, Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, pas takimeve në Bruksel ka përsëritur edhe një herë vendosmërinë e tij për të realizuar ndryshimet e nevojshme, “sado të dhimbshme që të jenë ato”, siç ka thënë. Tashmë, e zhytur në krizë të thellë, Greqisë nuk i vjen në ndihmë as ndihma 109 miliardë euro e akorduar nga BE-ja pak muaj më parë.

Top Channel