Jemen, Saleh: Ok rezolutës së OKB-së

24/10/2011 21:40

Presidenti jemenas Ali Abdullah Saleh ka deklaruar të hënën se e mirëpret rezolutën e OKB-së, që e fton atë të miratojë një plan për transferimin e pushtetit.

Megjithatë, Saleh ka lënë të kuptohet se nuk dëshiron të angazhohet zyrtarisht në dorëzimin e pushtetit.

Ai është shprehur i gatshëm për dialog me opozitën, për të vendosur një datë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Reagimi i Saleh vjen pak ditë pas kapjes dhe vrasjes së liderit libian Muammar Gaddafi, ngjarje që sipas analistëve mund të frymëzojë edhe popujt e tjerë arabë të përfshirë nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe, kostoja e së cilës ka arritur në 55 miliardë dollarë.

Trazirat në Jemen kanë qenë goxha të pranishme ditët e fundit, me luftime mes besnikëve të Saleh dhe kundërshtarëve të tij. Të dyja palët kanë kaluar në artiljerinë e rëndë, duke përdorur mortaja, raketa dhe mitrolozë.

Në fillim të muajit Saleh u kthye në Sana pas një qëndrimi të gjatë në Arabinë Saudite, ku u kurua nga plagët e marra gjatë një sulmi ndaj pallatit presidencial.

Ai premtoi në rikthim se do të largohej përfundimisht nga skena politike brenda pak kohe, por sipas kundërshtarëve, ky premtim është dhënë vetëm për të fituar kohë të vlefshme për të organizuar një goditje të re për shtypjen e opozitës.

Top Channel