Itali, miratohet paketa e masave

12/11/2011 19:25

Dhoma e ulët e Parlamentit italian ka miratuar paketën e masave anti-krizë, të kërkuar nga BE dhe e projektuar për të ringjallur besimin e tregjeve tek ekonomia e vendit.

Votimi i hap rrugën dorëheqjes nga posti të kryeministrit Silvio Berlusconi, për t’ë krijuar një qeveri e përkohshme e kryesuar nga ish-komisioneri i KE, Mario Monti.

Senati italian ka mbështetur paketën, që përfshin një ngritje të taksave, të moshës së pensionit, të cmimit të karburanteve dhe të cmimit të aseteve të shtetit.

Zoti Berlusconi, që e humbi mazhorancën e tij në një votim të mbajtur të martën në Parlament, premtoi se do të jepte dorëhqjen pas miratimit të paketës nga të dyja dhomat e Parlamentit.

Anëtarët e dhomës së ulët votuan 380 pro kundrejt 26 jo, plus dy abstenime, pasi Senati aprovoi masat e paraqitura ditën e premte.

Berlusconi pritet tani që t’i dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit Giorgio Napolitano, pas një takimi që do të zhvillojë me kabinetin e tij.

Më pas, zoti Napolitano mund t’i kërkojë zyrtarisht zotit Monti apo ndonjë kandidati tjetër që të formojë qeverinë e përkohshme.

“Ne e falenderojmë zotin Berlusconi për atë që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve”, deklaroi Fabrizio Cicchitto, deputet i partisë Populli i Lirisë. Edhe deputeti i opozitës Dario Franceschini mirëpriti dorëheqjen në ardhje.

Situata e rëndë ekonomike në Itali bëri që disa ditë më parë e përjavshmja prestigjoze britanike “The Economist” të thumbonte kryeministrin në ikje. 

Ndërkohë, në Romë, pas lajmit për miratimin e paketës, shumë qytetarë kanë dalë në rrugë me parulla të ndryshme në duar. Pasi kanë ecur në rrugë, ata janë mbledhur para pallatit Chigi, në pritje të dorëheqjes së kryeministrit.

Mes tyre ka kontestues të Berlusconi-t, mbështetës, si dhe shumë të tjerë që janë mbledhur nga kurioziteti. Më pas turma ëshë zhvendosur para selisë presidenciale, ku zhvillohet takimi Napolitano-Berlusconi.

Top Channel