Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton është shprehur optimiste se bisedimet Prishtinë-Beograd do të rifillojnë së shpejti.

“Shpresoj se raundi i ardhshëm i dialogut mes palëve do të mbahet shumë shpejt”, deklaroi Ashton gjatë një takimi me gazetarët në Bruksel.

Shefja e diplomacisë evropiane ka nënvizuar se cështja e veriut të Kosovës nuk u diskutua në takimin mes ministrave të Jashtëm të BE-së.

Megjithatë, një burim i afërt me zonjën Ashton ka deklaruar se shumë vende të Unionit e vlerësojnë si të papranueshëm faktin që misioni EULEX nuk mund të veprojë lirshëm në Kosovë.

Bisedimet Prishtinë-Beograd u ndërprenë për shkak të krizës që shpërtheu në veri, pas nisjes së operacionit për marrjen nën kontroll të pikave kufitare.

Pak ditë më parë, ndërmjetësi Robert Cooper ishte në Prishtinë, ku arriti të bindte zyrtarët vendas që të pranonin propozimin e refuzuar më parë për menaxhimin e integruar të kufijve.

Negociatorja kosovare, Edita Tahiri, deklaroi më vonë për të qetësuar klasën politike kosovare se, ideja në fjalë ishte një ide e Bashkimit Evropian dhe jo e Serbisë.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaroi të hënën se të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me kufijtë e Kosovës duhet të ratifikohen në Kuvend.

Top Channel