Dialogu teknik Kosovë-Serbi mund të rifillojë shumë shpejt dhe njëra nga temat për të cilën palët do të flasin është “menaxhimi i integruar i kufijve”.

Kjo marrëveshje do të jetë e para që do të nënshkruhet, ndërsa 5 të tjera që janë arritur gjatë dialogut, por nuk janë firmosur nga palët, të cilat vetëm janë zotuar se do t’i respektonin.

Sipas Edita Tahirit, që udhëheq palën kosovare në këtë dialog, palë nënshkruese do të jetë edhe Bashkimi Europian, që ndërmjetëson bisedimet teknike Kosovë- Serbi.

“Fjala është për bashkëpunim ndërmjet dy shteteve të pavarura, për çështjen e menaxhimit të kifijve. Cdo shtet, në kuadër të marrëveshjes, vepron me ligjet dhe kushtetutën e vet, në dallim nga herët e tjera kur marrëveshjet kanë qenë bilaterale dhe s’ka pasur nevojë për nënshkrim. Në këtë rast, për shkak të specifikave të marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë, ne kemi kërkuar garanci edhe nga BE-ja”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri po ashtu ka informuar qeverinë e Kosovës se deri më tani, nga 5 marrëveshje të arritura me Serbinë, vetëm njëra prej tyre, ajo për “tregtinë e lirë”, është duke u zbatuar, ndërsa 4 të tjerat jo, për fajin e Serbisë.

Sipas saj, Kosova tashmë e ka ligjin për menaxhimin e integruar të kufijve dhe ky është një model europian midis shteteve fqinje.

Ajo ka shtuar se Kosova ka marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë, Maqedoninë, dhe pritet të ketë edhe me Malin e Zi. Nga ana tjetër, kryeministri Hashim Thaçi, i nxitur nga debatet e shumta, ka kërkuar që të mos ngatërrohen “menaxhimi i integruar i kufijve” me “bisedimet për kufijtë”.

“Vetë fakti që Serbia po pranon një koncept të tillë, të diskutuar nga institucionet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, një koncept evropian për menaxhimin e integruar të kufirit, është një njohje jo vetëm e kufirit, por mund të them se është njohje e instiucioneve të Kosovës”, ka thënë Thaci.

Në lidhje me këtë temë ka folur ndryshe kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, që sipas tij, “më parë duhet të definohet çështja e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe pasi të bëhet kjo, të ndodhë menaxhimi i përbashkët”.

Madje, sipas tij, “paraprakisht, këta kufij duhet të njihen nga të dyja vendet dhe të ratifikohen nga Kuvendet e tyre”.

Bisedimet Prishtinë-Beograd u ndërprenë për shkak të krizës që shpërtheu në veri, pas nisjes së operacionit për marrjen nën kontroll të pikave kufitare.

Dy ditë më parë shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton shprehu bindjen se bisedimet Prishtinë-Beograd do të rifillonin së shpejti.

Top Channel