Kryeministri kosovar Hashim Thaci ka deklaruar se shteti i Kosovës i ka
shumë të qarta vijat e kuqe përsa i përket dialogut për cështjet teknike
me Serbinë.

Sipas tij, gjithcka që do të dalë nga këto bisedime do të jetë në përputhje me dokumentin e Marty Ahtisari-t, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Cdo pretendim për tejkalimin e këtyre dokumenteve për qeverinë e Kosovës do të jetë i papranueshëm”, ka deklaruar Thaci.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka përsëritur kështu një mesazh të lëshuar të premten, ku lidhur me dialogun Kosovë-Serbi tha se pala kosovare nuk do të lëshojë pe sa i përket cështjes se menaxhimit të integruar të kufijve.

Ndërsa ditën e enjte, Thaci deklaroi hapur se është i gatshëm të bisedojë me qytetarët serbë të veriut, por në asnjë mënyrë nuk do të komunikojë me strukturat ilegale kriminale.

Kryeministri kosovar ka theksuar disa herë se qeveria e tij nuk është në konflikt me serbët që jetojnë në veriun e Kosovës.

Vetëm pak ditë më parë, ai u shpreh se qeveria e tij serbët, “të cilët kanë mbetur peng të strukturave kriminale, i trajton si të barabartë”.

Ditën e premte, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, në ditën e 3-të të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE.

Top Channel