Putin: Nuk i humbëm zgjedhjet

06/12/2011 15:10

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, refuzoi të pranonte se partia e tij ishte më e humbura nga zgjedhjet e ditës së dielë, ndërsa i cilësoi si të zakonshme luhatjet në votime.

E zgjedhur me vetëm 50% të votave, Rusia e Bashkuar e dyshes më të fortë të vendit, Putin-Medvedev, pësoi një rënie prej pothuajse 14% në krahasim me zgjedhjet e shkuara parlamentare, ndërsa komunistët regjistruan një rikthim në nivelin e 20% për herë të parë që prej rënies së komunizmit.

Disa mijëra trupa policore u vendosën të martën nëpër rrugët e Moskës, për të kontrolluar turmën e protestuesve, të indinjuar për atë që u konsiderua si manipulimi i zgjedhjeve, ndërsa 300 persona u arrestuan, midis të cilëve edhe Alexei Navalny, një aktivist në luftën kundër korrupsionit dhe kritik i ashpër i Putinit.

Rezultati i votimeve tregon një rënie të dukshme të popullaritetit të Putinit, në prag të zgjedhjeve presidenciale të marsit, ku ai do të konkurrojë për një mandat të tretë, pas atyre në periudhën 2000-2008.

”Ulje-ngritjet në votime për një parti të madhe janë mëse normale”, deklaroi Putin në agjensinë shtetërore “Interfax”. “Pa dyshim, rreziku për të perjetuar goditje të tilla është edhe më i madh ndërsa drejton vendin dhe ke përgjegjësi për gjithçka që ndodh. Megjithatë, kemi ende besimin e gjysmës së rusëve, ndërsa rivalët tanë më të afërt vetëm atë të 1/5 të popullsisë. Mendoj se diferenca mbetet ende tepër e madhe”.

Zgjedhjet, protesta kundër Putin në Moskë

Disa mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e Moskës duke bërtitur
“Poshtë Putin”, “Rusia pa Putin” apo “Revolucion”, pasi vëzhguesit
ndërkombëtarë folën për shkelje flagrante në zgjedhjet parlamentare në
Rusi.

Disa përleshje u raportuan dhe policia ruse tha se ka arrestuar më shumë se 300 protestues.

OSBE-ja deklaroi më parë se votimi ishte manipuluar në favor të partisë së kryeministrit Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar”.

Ndërsa në deklaratën e tij Presidenti Dmitry Medvjedev këmbënguli se zgjedhjet ishin të drejta dhe demokratike.

Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, shprehu “shqetësime serioze” për këtë çështje.

”Rusia e Bashkuar” fitoi zgjedhjet, por me një rënie të dukshme të mbështetjes së popullit. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se partia kishte nën 50% të votave, nga 64% në vitin 2007. ”Rusia e Bashkuar” ka humbur 77 vende në Parlament, në një proces zgjedhor i cili shihej si një provë për popullaritetin e Putin.

OSBE-ja vuri në dukje manipulimet flagrante në zhvillimin e zgjedhjeve, të tilla si mbushja e kutive të votimit.

Top Channel