Rama në Lushnje

25/02/2012 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë në Lushnje ku ka shpërndarë kartat e anëtarësimit për 300 të rinj në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti.

Zoti Rama theksoi se socialistët kanë në themel të përpjekjeve të tyre ndryshimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian. E për këtë projekt nevojitet forca e të rinjve tha kryesocialisti, që do të lënë pas të dështuarit që drejtojnë sot vendin. E në këtë rast programi “Për një Rilindje Shqiptare” do t’i prijë sipas zotit Rama të gjithë shqiptarëve drejt një të ardhme tjetër, shumë më të mirë se aktualja.

“Jeni këtu për t’u shfaqur, jeni këtu për të qenë së bashku, jeni këtu për të bashkuar zërin tuaj me zërin e të tjerëve në mënyrë që gjithcka ne do të shkruajmë së bashku për të gjitha të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë në programin “Për një Rilindje Shqiptare”, të mos mbetet një dëshirë e shkruar bukur në letër, por të kthehet në një vullnet për transformimin e realitetit ku sot rinia shqiptare lëngon në plagët e papunësisë dhe të braktisjes sociale, ku sot rinia shqiptare lëngon nën plagët e padrejtësisë dhe pabarazisë, ku sot të rinjtë shqiptarë e kanë të pamundur të gjejnë rrugën e tyre falë vlerave dhe meritave të tyre, sepse rruga e tyre është e mbyllur nga politika e vjetër dhe e ndasive, e preferencave klienteliste dhe nepotike”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama shtoi se programi i ri do të jetë pjesë e shqiptarëve dhe do të zhdukë, sic tha ai, të gjitha padrejtësitë aktuale duke nisur nga taksat ku njerëzit e thjeshtë paguajnë më shumë se ministrat e deputetët.

“Kush fiton më pak dhe më pak fitojnë prindërit tuaj, duhet të paguajnë më pak taksa dhe duhet të kenë më shumë para për të mbajtur familjen me dinjitet. Kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë taksa dhe padyshim le të fitojë edhe më shumë, që të paguajë edhe më shumë, në mënyrë që kjo shoqëri të jetojë ashtu si të gjitha shoqëritë europiane, mbi bazën e një sistemi të drejtë. Mbi bazën e një sistemi ku nga pasuria e përbashkët të fitojnë të gjithë dhe jo vetëm një pakicë e vogël që pasurohet përditë e më shumë, ndërkohë që shumica varfërohet përditë e më shumë”, deklaroi Rama.

Një mesazh drejtuar të rinjve ka ardhur edhe nga Sekretari për Rininë, Erjon Veliaj.

“Secili prej jush është Partia Socialiste aty ku gjendet, ndaj le ta hapim Partinë Socialiste për të gjithë ata që do të votojnë për herë të parë, le ta hapim Partinë Socialiste për këdo që do të na bëhet krah në këtë betejë dhe le ta fitojmë këtë betejë”, deklaroi Erjon Veliaj, Sekretar për Rininë dhe Emigracionin në PS.

Një ditë më parë, në kuadër të krijimit të mundësive të reja për të rinjtë, Partia Socialiste prezantoi strategjinë e saj për zhvillimin e sportit shqiptar.

Vetë Rama dhe deputeti Fidel Ylli paraqitën një seri planesh për ripërtëritjen e sportit në vend, si dhe premtuan investime të vazhdueshme në këtë sektor, me qëllim zbulimin e sa më shumë talenteve. 

Top Channel