Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadores së tyre në Beograd, Mary Warlick, janë shprehur kundër shtrirjes së zgjedhjeve lokale serbe në veri të Kosovës.

“Zgjedhjet lokale në veri do të zgjidhnin përfaqësues të cilët nuk do të kenë asnjë pushtet me ligjet që ekzistojnë në Kosovë”, ka deklaruar Warlick.

Diplomatja amerikane ka kujtuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë në vitin 2008, të cilat u vlerësuan si ilegjitime nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

“Kështu që kjo është një çështje që duhet adresuar sa më parë”, ka thënë ambasadorja Warlick në një prononcim për mediat serbe.

Ajo ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin e Kosovës dhe ka theksuar se për Uashingtonin çështja e statusit është e mbyllur.

Sipas saj, pavarësia e Kosovës përbën një rast të veçantë dhe nuk mund të trajtohet si preçedent për situata të tjera.

“Duhet pasur parasysh se Kushtetuta e Kosovës ofron mbrojtje për serbët e vendit. Serbët në jug të lumit Ibër duhet të shfrytëzojnë këto garanci që të zhvillojnë komunitetin dhe të mbrojnë interesat e tyre”, ka thënë Warlick.

“Dëshirojmë të shohim progres në sundimin e ligjit në veri të Kosovës, në mënyrë që serbët atje të bëjnë një jetë më cilësore. Besoj se ndarja nuk është në interesin e askujt”, ka shtuar diplomatja.

Zhbogar: Zgjedhjet serbe përkeqësojë situatën

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, i cili ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe mund të përkeqësojë situatën dhe jo të zgjidhë problemet.

“Do të dëshiroja që Serbia të mos organizonte zgjedhje lokale në Kosovë. BE pret që ky vend, që është kandidat për anëtarësimin, të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me dialog”, ka deklaruar Zhbogar.

Zhbogar ka nënvizuar se rezoluta 1244 tregon qartë se kush mban përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe kjo nuk është Serbia.

“Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë nuk do të na çojë drejt dialogut, por do të përkeqësojë situatën dhe retorikën dhe kjo nuk do të sjellë zgjidhje”, ka vlerësuar Zhbogar.

Kuçi: Nuk do ketë zgjedhje në veri

Qeveria e Kosovës ka deklaruar të enjten se në veri të vendit nuk do të zhvillohen zgjedhje serbe dhe ka njoftuar se edhe në rast të kundërt, ato nuk do të kenë asnjë fuqi juridike.

Duke folur pas mbledhjes së ekzekutivit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se, rrjedhat politike tregojnë se Serbia nuk do ta shtrijë proçesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Lidhur me këtë çështje qeveria e Kosovës tashmë ka biseduar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, nga të cilat ka kërkuar që të ndalin një veprim të tillë të Serbisë”, ka nënvizuar Kuçi.

Ditën e mërkurë mediat serbe raportuan se zgjedhjet lokale mund të mbahen më 22 prill, bashkarisht me zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. 

Top Channel