Franca në alarm për sulme antisemite

28/03/2012 15:35

Franca është vënë në alarm pas një sulmi të ri ndaj një djali hebre, ngjarja e fundit në zinxhirin e disa incidenteve anti-semite, që prej masakrës së ndodhur në një shkollë për hebrenjtë në Tuluzë.

Disa adoleshentë rrahën në mënyrë brutale 12-vjeçarin, duke e ofenduar me shprehje si “çifut i ndyrë”, në daljen e një shkolle për hebrenjtë, në Parisin juglindor.

Jean-Paul Amoyelle, kreu i rrjetit të shkollave “Ozar Hatorah” në Francë, pranoi frikën e tij për mundësinë e sulmeve të reja.

Në vazhdën e sulmit të një ekstremisti që vrau një mësues dhe tre fëmijë më parë gjatë marsit në një shkollë në Tuluzë, i motivuar nga urrejtja racore, mesazhe kërcënuese i janë dërguar një sërë institucionesh izraelite në vend.

Mesazhet, të denoncuara nga e përditshmja “Le Parisien”, paralajmërojnë se vrasjet e Merah ishin “vetëm fillimi”. Letrat janë firmosur nga persona që pretendojnë se përfaqësojnë grupe ekstremiste si “Drejtësia Franceze” apo “Organizata e Francezëve të Vërtetë”.

Si rrjedhojë, policia është vendosur në alarm dhe ka përforcuar prezencën e saj në insitucionet e edukimit hebre.

Disa zënka të tjera sporadike dhe grafiti ofendues nëpër mure janë raportuar, që prej masakrës së Tuluzës.

Top Channel