Presidenti i dorëhequr i Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se beson fuqishëm në ringjalljen e vendit, që sipas tij do të ndodhë kur Serbia të ecë me këmbët e saj.

“Serbia do të bëhet një shtet në gjendje të garantojë mirëqënien dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët e saj”, ka deklaruar Tadiç, lider i Partisë Demokratike.

Presidenti është shprehur se, është mirë të mendohet për të kaluarën, por më parë sipas tij duhet të mendohet për të ardhmen e vendit.

“Kjo, pasi ringjallja e Krishtit do të thotë celebrimin e jetës. Besoj thellësisht, në formë simbolike, në ringjalljen e Serbisë”, ka thënë Tadiç në prag të Pashkëve Ortodokse.

Në fillim të muajit ai dha dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit në mënyrë që t’i hapte rrugë rikandidimit të tij në këtë post në zgjedhjet që do të mbahen në muajin maj.


Hulumtimet favorizojnë partinë e tij
në këto zgjedhje, ndonëse në opinionin publik besohet fuqishëm se do të jetë Partia Progresiste e Serbisë, e Tomisllav Nikolliç, ajo që do të ketë epërsinë.

Gjithësej janë tetë kandidatë për president të konfirmuar deri më tani, të cilëve u nevojiten nga 10 mijë nënshkrime për t’u futur në garë.

Top Channel