Një nga krerët e Kuvendit paralel në veri të Kosovës, Marko Jakshiç ka deklaruar se qeveria e Prishtinës nuk mund t’i ndalë zgjedhjet lokale serbe.

Sipas “RTK”, Jakshiç është shprehur se “kërcënimet” e ministrit të Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi se zgjedhjet lokale nuk do të mbahen, nuk do të realizohen.

“Së pari, lokaliteti këtu është i paarritshëm për Rexhepin, kështu që ai nuk mund t’i ndalojë dot serbët të votojnë. Së dyti, materiali zgjedhor tashmë ekziston dhe Rexhepi nuk ka se si t’i pengojë zgjedhjet. Ky është një kërcënim me pushkë të zbrazur”, ka deklaruar Jakshiç.

Krerët ilegalë në veri duket se po paraqesin një qëndrim ndryshe nga ai i Beogradit zyrtar, që disa herë ka deklaruar se do të respektojë qëndrimin e UNMIK, se nuk mund të organizohen zgjedhje lokale.

Deklarata e Jakshiç mund të nënkuptojë se, përveç deklaratave zyrtare se heq dorë nga zgjedhjet, qeveria serbe po përgatit një plan për mbajtjen e tyre edhe në Kosovë, në enklavat e saj.

Beogradit i është bërë disa herë thirrje nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që të mos organizojë zgjedhje lokale në Kosovë, por nuk është çudi që qeveria serbe t’i shpërfillë këto apele, siç ka bërë edhe në raste të tjera.

Pak ditë më parë, presidenti i dorëhequr i Serbisë, Boris Tadiç deklaroi se vendi i tij do të respektojë të drejtën ndërkombëtare përsa i përket çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Top Channel