Austria bojkoton Euro 2012

02/05/2012 18:15

Qeveria e Austrisë ka njoftuar se do të bojkotojë të gjitha ndeshjet e Euro 2012 në Ukrainë pas rritjes së irritimit për shkak të keqtrajtimit që i është bërë në burg ish-kryeministres Yulia Tymoshenko.

Ekipi austriak nuk u kualifikua për turneun, që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë, por kancelari Wener Faymann thotë se ky është një sinjal politik.

Liderë të vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë anuluar tashmë vizitat e planifikuara në vendin e Europës lindore.

Tymoshenko u burgos vitin e kaluar për abuzim me anë të detyrës, në një proçes të kritikuar nga Perëndimi dhe të cilësuar si të motivuar politikisht.

“Ne jemi të shqetësuar për situatën në Ukrainë dhe në veçanti për gjendjen e ish-kryeministres Yulia Tymoshenko”, ka deklaruar kancelari Faymann.

Fotografi të Tymoshenko, 51 vjeç, që tregonin gjurmë të dhunës në trupin e saj, u publikuan nga mediat ndërkombëtare javën e kaluar.

Ish-kryeministrja deklaron se rojet e burgut e rrahën atë teksa po transferohej nga qelia në një spital për t’u mjekuar për dhembjet në kurriz.

Prokurorët ukrainas kanë mohuar deklaratat në fjalë dhe kanë akuzuar Tymoshenko se po përpiqet të dëmtojë marrëdhëniet mes vendit dhe Bashkimit Evropian.

Top Channel