Megjithë kërkesën e Komisionit Europian për të mbyllur reformën zgjedhore dhe atë parlamentare brenda datës 24 maj, ky afat u dogj pa kompromis.

Duke mbajtur kështu të pambyllur reformën zgjedhore, një nga kushtet kryesore që Shqipëria të mund të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat.

Kryeministri Sali Berisha e preku gjatë këtë temë në mbledhjen e qeverisë dhe ftoi opozitën ta mbyllin sa më shpejt Kodin e ri Zgjedhor. E njëjta ftesë vjen dhe nga opozita, por ndasitë mbeten të forta.

Duke nisur që me përmbushje e rekomandimit të ODIHR-it për të mos zbatuar menjëherë numërimin elektronik në zgjedhjet e 2013-ës, që për kryeministrin Berisha nuk duhet të ketë asnjë diskutim nga asnjë parti.

Kjo mund të tejkalohet si pengesë, por hapja e kutive dhe marrja e provave është pengesë thelbësore.

“Çdo material duhet të hapet, por këtë duhet të jetë gjykata që ta bëjë. Dhe ne jemi plotesisht dakord. Por nëse një vendim i tillë u jepet dy përfaqësuesve partiakë, zgjedhjet nuk janë më zgjedhje të qytetarëve, por të dy përfaqësuesve të cilësdo parti, nuk e paragjykoj, që mund ti kapin ato edhe njëherë nga e para tek e fundit, për t’i çuar zgjedhjet drejt dështimit, për t’i çuar në proçes të pafundëm dhe moskompletimi. Kujt i intereson kjo?”, deklaroi Berisha.

“Për më tepër ditët e fundit, Sali Berisha po nxjerr pretendime të tjera në lidhje me të drejtën që kanë dy anëtarë, që është dhe në kodin aktual, por që në komisionin e reformës zgjedhroe u kërkua të përforcohej, që për një çështje hetimore, në rastin kur ka një ankesë dhe ka një hetim administrativ, kërkesa e të dy anëtarëve të bënte të detyrueshme marrjen e provave. Pra, bëhet fjalë për dokumentacionin zgjedhor dhe nuk ka asnjë sekret. Sali Berisha përfundimisht nuk e do këtë, pra do që proçesi i hetimit të jetë gjysmak dhe i errët”, deklaroi nga ana tjetër Damian Gjiknuri.

Problematik është edhe rikompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një institucion që sipas Partisë Socialiste, mazhoranca kërkon ta mbajë nën kontroll duke mos pranuar variantin e dhënë nga opozita, apo duke mos reaguar për një formulim të ri të bërë nga Partia Socialiste.

Palët ndahen në arsyetimin se kush po bllokon reformën zgjedhore apo atë parlamentare, edhe kjo ende e papërfunduar.

“Sali Berisha ka dashur ta përziejë këtë proçes me proçesin e zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që ta përdorë këtë si një instrument në favor të këtij proçesi. Nëse ka vullnet, edhe këto ditë mund të punohet, mund të negociohen çështjet e mbetura, por nëse reforma do të përdoret si instrument për çeshtjen presidenciale, kjo do të jetë që ta hedhësh në kosh këtë prioritet dhe ta përziesh me të vetmin prioritet që ka kjo qeveri, të okupojë sa më shumë institucione dhe të marrë nëpër këmbe fatin europian të Shqipërisë”, argumentoi Gjiknuri.

“Duke mbetur vlerësues për të gjithë punën e bërë, nuk besoj se bllokimi është ajo që kanë nevojë shqiptarët dhe të plotësojmë reformat e kërkuara si dëshmi e vullnetit tonë para shqiptarëve, miqve dhe partnerëve për të konkretizuar detyrimet që rrjedhin në proçesin e integrimit në Bashkimin Europian”, tha nga ana e tij Berisha.

Tani, që të dyja çështjet janë miksuar me zgjedhjen e presidentit, ashtu siç nuk dëshironte Komisioni Europian. Është e qartë se kompromis të afërt nuk do të ketë.

Kohë për mbylljen e reformës zgjedhore ka, por pikëpyetja më e madhe është sesa kjo kohë do të ndikojë në marrjen ose jo të statusit brenda këtij viti.

Afati u dogj pavarësisht apelit të bërë gjatë paradites së të mërkurës nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, për mbylljen sa më shpejt të reformës zgjedhore.

Top Channel