Takimi i Sali Berishës me Ilir Metën nxori edhe një lajm tjetër, atë që Berisha nuk do të takohet me Edi Ramën në mënyrë direkte. Kryeministri Berisha nuk dha arsye përse vendosi të mos ulet në një tryezë me Edi Ramën për çështjen e presidentit, por ngarkoi Astrit Patozin dhe Edmond Spahon që të negociojnë me Partinë Socialiste.

“E ftoj zotin Rama të tregojë besim tek bashkëpunëtorët e tij dhe të mandatojë dy persona për kontakte të vazhdueshme, siç kam bërë unë. Çfarë synojmë ne? Synojmë një proçes civil, të qytetëruar, të përgjegjshëm e kushtetues”, deklaroi Berisha.

Kryeministri u shpreh se të gjitha palët duhet të bëjnë gjithçka për një proçes serioz për t’i dhënë vendit një president konsensual.

“Me zotin Rama, pa u takuar fare kemi ndërmarrë reformat më të thella në historinë e vendit. Ky nuk është shoë, por është thelbi ai që ka rëndësi për mua. Kur ne kemi realizuar ndryshimet më të thella kushtetuese, ne nuk bëmë një takim, që t’u deklaronim gazetarëve se, ja çfarë mund të bëjmë ne, por ne ua lamë fjalën veprave dhe unë uroj që kjo trashëgimi të vazhdojë. Nuk ekziston asnjë problem, përveç asaj që të ecim me rezultate konkrete. Dhe unë them që rruga është e shtruar”, theksoi Berisha.

Kryeministri iu përgjigj zotit Rama për mesazhin e tij, ku i cilëson “teatër” takimet e kryeministrit me alatët.

“Këto takime janë ndër më seriozet që janë zhvilluar gjatë tre viteve të fundit. Edhe takimi i zyratrëve të PD dhe PS do të jetë në predispozitën tonë një takim serioz. Nuk ka arsye të çedojë konsensusi, të predominojë mosbesimi, apo besimi ndaj mosbesimit. Duhet të predominojë përkushtimi për t’i dhënë vendit një president me mbështetje sa më të gjerë”, shtoi Berisha.

Negociatat, Patozi letër Ruçit

Demokratët nuk humbën kohë dhe letrës së para disa tre javëve të kryetarit të PS, Edi Rama, ku i kërkonte Sali Berishës takim për presidentin, iu përgjigjën me një letër të firmosur nga kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi.

Ai i drejtohet homologut të tij socialist Gramoz Ruçi për të caktuar një takim, “për të eksploruar të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë”.

Për këtë qëllim -thotë zoti Patozi- Partia Demokratike është e hapur që duke filluar nga e shtuna paradite, të zhvillohen takimet me negociatorët socialistë në kryesinë e Kuvendit, në ditën dhe kohën kur PS e gjykon të përshtatshme.

Kreu i PS: Saliu po bën teatër

Nuk kanë munguar reagimet e opozitës për deklaratën e kryeministrit Berisha pas takimit me Ilir Metën, ku tha se Edi Rama duhet të zgjedhë negociatorët që do të hyjnë në bisedime për çështjen e presidentit.

Nëpërmjet rrjetit social Twitter, Rama thotë se: “Që kryeministri të bëjë teatër me takimet për presidentin e ri është zgjedhja e tij, por të flasë për besimin tim te njerëzit e mi është turpi i tij”.

Disa minuta pas mesazhit të parë, përseri duke iu drejtuar Berishës, Rama shkruan se: “Kryeministri mund të takojë të tjerët për teatrin e tij, jo Partinë Socialiste. Nëse do negociata me ne, duhet të biem dakord paraprakisht për modalitetet”.

Po për zgjedhjen e presidentit, kryetari opozitës i kujton kryeministrit Berisha se e ka ftuar atë zyrtarisht javë më parë, por ai ka refuzuar të përgjigjet zyrtarisht siç i takon. “PS është gati të dialogojë e negociojë kur kryeministri të jetë gati”, thotë Rama.

Ndërkohë, depueti socialist Erjon Braçe e shikon refuzimin e Berishës për të takuar Ramën nga një këndvështrim tjetër, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Erjon Braçe mendon se: “Berisha e refuzon takimin me kryetarin e PS, Edi Rama, për shkak të 21 janarit. Kulmi, pasi vrasësi refuzon”.

Deputeti Braçe shpreh shqetësimin se Berisha po shkon drejt zgjedhjes së dhunshme partiake të presidentit dhe se kryeministri duhet ndaluar me çdo kusht, pse jo, thekson Braçe, duhet rrëzuar me çdo kusht.

Top Channel