Shkreli: Po preket fortesa e Pallatit të Brigadave

18/06/2012 00:00

Kreu i Shoqates se Arkitektëve, Artan Shkreli ka renditur shkeljet
ligjore, që sipas tij Bashkia e Tiranës ka bërë me prerjen e qindra
pemëve prane Liqenit Artificial, për llogari të zgjerimit të rrugës së
Elbasanit.

“Nuk merret në konsideratë impakti mjedisor, nuk merret në konsideratë Ministria e Kulurës dhe e Turizmit, drejtoria e Trashëgimisë, nuk merret në konsideratë institucioni i Kryeministrit, i cili është i vetmi që e lejon shndërrimin e zonave të gjelbra, në zona për ndërtim ose për rrugë, nuk merret në konsideratë as transparenca, që duhet të bërë për hir të transparencës për publikun. Në cdo lloj ndërtimi që bëhet, duhet vënë një tabelë përkatëse, ku tregohet cfarë po ndodh, koha gjatë së cilës ky ndërtim kryhet, kush kompani kryen ndërtimet dhe qëllimi. Këtë e ka edhe Ligji i ri për Urbanistikën”, tha Shkreli.

Ky projekt po cenon edhe pjesen e forteses se Pallatit të Brigadave, i cili eshte nder momumentet e trashegimise kulturore dhe historike te kategorise se pare ne vendin tone.

“Bëhet fjalë për dëmtimin e strukturave të Parkut Historiko-Mjedisor të Pallatit të Brigadave, i cili është në mbrojtje dhe në vëmendje edhe të organizmave ndërkombëtare”, tha Shkreli.

Një grup i shoqërisë civile, por edhe organizma të huaj do të protestojnë në mënyrë paqësore për mbrojtjen e kësaj vepre, e cila ka rëndësi të veçantë në trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

“Shoqëria civile shqiptare, institucionet ndërkombëtare, se për institucione kombëtare këtu nuk flitet më dhe kryesisht reagimi popullor nuk do të lejojë prekjen e rrethimit të Pallatit të Brigadave. Ne do të reagojmë me protesta qytetare dhe me peticione, të cilat do t’i drejtohen qoftë Unionit Botëror të Arkitektëve, qoftë institucioneve si UNESCO, të cilat mbrojnë trashëgiminë europiane edhe në Shqipëri”, tha Shkreli.

Sipas tij plani për zgjerimin e rrugës së Elbasanit nuk është përfshirë në Planin Rregullues dhe nuk është aprovuar nga Këshilli Bashkiak.

Top Channel