Vrasja e gruas, 200 të shoqëruar

08/08/2012 00:00

Më shumë se 200 persona, që të gjithë me preçedentë penalë në fushën e vjedhjeve dhe grabitjeve, janë shoqëruar nga 6 komisariatet e policisë së Tiranës, por asnjëri prej tyre nuk rezulton si i dyshuar për vrasjen e 37-vjeçares Fatbardha Tafa dhe plagosjes së motrës së saj Lumturie Gjana.

Krerët e policisë shpresojnë tek mbledhja e informacionit të vlefshëm nga agjentët e krimeve në terren, pavarësisht se janë ende larg identikiteve të autorëve, njëri prej të cilëve ka qenë me skafandër në kokë dhe tjetri me një kapele.

Policia e Tiranës duket se është ngritur në këmbë për krimin e rëndë të ndodhur pranë ish-fushës së aviacionit, ku gjatë sulmit me thikë për të rrëmbyer bizhuteritë dhe çantat e dy grave, u shënua një e vrarë dhe një e plagosur.

Burimet jozyrtare të policisë thanë për Top Channel se në vijim të hetimeve janë bllokuar 120 motorçikleta gjatë kontrolleve të personave të ndryshëm që po udhëtonin me këtë mjet, pasi të dhënat nga vendngjarja tregojnë se dy grabitësit po udhëtonin me një motorçikletë.

Por sërish asnjera prej mjeteve të bllokuara nuk rezulton të ketë lidhje me motorin me të cilin po udhëtonin dy autorët, duke sjellë kështu hetime të paskusesshme për këtë ngjarje të rëndë, pavarësisht përpjekjeve të policisë për të rënë në gjurmët e vrasësve.

Ka dyshime të forta se dy autorët janë të rinj të moshës nga 16 deri në 20 vjeç dhe mund të kenë si metodë të grabitjeve të kryera prej tyre atë të rrëmbimit të bizhuterive dhe çantave gjatë udhëtimit me motorçikletë. Një metodë kjo e përdorur së fundmi veçanërisht në zonën e Komunës së Parisit, në rrugën Ali Demi dhe përgjatë bulevardit kryesor.

Nga ana e saj, policia thotë se çdo ditë kryen arrestime personash të dyshuar për krimin e rrugës, por është gjykata ajo që i liron duke ndjekur një politikë penale lehtësuese për shkak të moshës së re të autorëve të implikuar në këto ngjarje.

Gjatë mesditës shefat e policive janë thirrur për mbledhje në policinë e Tiranës, ndërkohë që edhe drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj zhvilloi një mbledhje të ngjashme në Pallatin e Kongreseve, takim ky që u krye me dyer të mbyllura dhe që u raportua si rutinë.

Zoti Burgaj premtoi zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje. “Është një takim normal pune që kemi zhvilluar normalisht mes organizatave të policisë. Po punohet intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, deklaroi Burgaj.

Por ndërsa policia po vazhdon t’i kalojë në sitë të gjithë personat që njihen në kartelat e saj për vjedhjet, nurmi i telefonit në të cilin qytetarët mund të japin informacione të vlefshme për zbardhjen e krimit që tronditi Tiranën, përballë shpërblimit prej 10 mijë eurosh dhe ruajtjes se anonimatit, është ky: 129 ose 069 41 04 111.

Zyrtarisht më herët policia ka ngritur shqetësimin e saj për përmasat që ka marrë krimi i rrugës i kryer nga të mitur e të rinj nga mosha 14 deri në 20 vjeç, që i përkasin atij kontigjenti që tashmë konsiderohet i specializuar në fushën e grabitjeve jashtë vendit, si edhe të një grupi tjetër që cilësohet në fjalorin policor si “kontigjenti shëtitës”, thënë ndryshe i atyre të rinjve që grabisin duke ardhur në Tiranë nga rrethet e tjera dhe që më pas largohen pa lënë gjurmë.

Në fillim të muajit maj burime të policisë thanë jozyrtarisht se, për shkak të problematikës së vjedhjeve dhe politikës penale lehtësuese ndaj të rinjve, ka nisur riskedimin e të gjithë personave që janë të dyshuar për krimin e rrugës.

Por pavarësisht kësaj zgjidhjeje nga uniformat blu, duket se të gjithë këta të dyshuar sa herë arrestohen përfitojnë nga drita jeshile  në gjykatë, duke u liruar si përfitues të moshës së re dhe parrezikshmërisë shoqërore, të paktën kështu i cilëson gjykata në vendimet e saj. 


Foto nga vendi i krimit
Foto nga vendi i krimit

Top Channel