Zyrtari ilegal serb në veri të Kosovës, Kërstmir Pantiç ka deklaruar se barrikada serbe në Mitrovicë është simbol i rezistencës së serbëve ndaj dhunës së Prishtinës dhe jo simbol i turpit, siç e quajti komandanti i KFOR-it, Erhard Drews.

Në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Beta”, Pantiç ka thënë se, barrikada në urën mbi lumin Ibër është vendosur pas aksioneve, sipas tij, të njëanshme dhe të dhunshme të qeverisë së Prishtinës.

“Bëhet fjalë për një dhunë që prej 13 vjetësh ushtrohet në mënyrë sistematike ndaj serbëve të Kosovës”, ka thënë Pantiç, i cili i është përgjigjur edhe kreut të KFOR-it.

“KFOR-i mund të përpiqet t’i largojë barrikadat me forcë, por qytetarët serbë nuk do ta lejojnë derisa të kenë garanci të forta se Prishtina nuk do të vendosë me dhunë institucionet e saj”, ka shtuar Pantiç.

Mitrovica u vizitua gjatë paradites nga komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, i cili e cilësoi barrikadën si simbol të turpit pasi simbolizon ndarjen e qytetit.

“Ndjej turp për barrikadën mbi urën e lumit Ibër, sepse ajo ka karakterin e ndarjes së një qyteti, i cili në fakt nuk është i ndarë”, tha Drews pas takimeve me autoritetet lokale.

Gjenerali gjerman vlerësoi se, logjika e atyre që e kanë vënë atë barrikadë nuk ndryshon edhe nëse ajo hiqet, por përkundrazi mund të krijojë pasoja të kundërta, ndaj dhe nevojiten veprime të arsyeshme.

Top Channel