Mema: S’kam bërë kurrë thirrje anti-greke

22/08/2012 18:30

Gazetari i Top Channel, Marin Mema, të cilit pak ditë më parë iu ndalua hyrja në Greqi nga policia greke, ka deklaruar se në emisionet e tij nuk ka pasur kurrë thirrje anti-greke.

Duke folur në një intervistë për VOA, Mema i ka cilësuar absurde komunikimet e policisë greke, se ai përbënte rrezik për sigurinë publike të shtetit helen.

“Në emisionet që kam bërë unë, në fshatin Margëlliç, Gumenicë dhe Filat, s’ka pasur asnjëherë thirrje kundër Greqisë. Nuk kam kërkuar të krijoj probleme mes Shqipërisë dhe Greqisë”, ka deklaruar Mema, i cili pretendon se ka bërë të kundërtën.

“Madje, kam bërë emisione edhe në minoritetin grek, në zonën e Dropullit, ku kam treguar marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve dhe minoritarëve”, ka nënvizuar Mema.

Gazetari Marin Mema është shpallur person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye atij nuk i lejohet që të hyjë në territorin grek.

Ky vendim iu komunikua atij mesditën e së dielës ndërsa po kryente proçedurat për të hyrë në shtetin helen në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës.

Pavarsisht se disa ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë kërkoi sqarime nga ambasada greke në lidhje me këtë rat, ende autoritet greke nuk kanë dhënë shpjegime.

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi të mërkurën ndalimin e Memës për të hyrë në territorin grek, duke protestuar përpara selisë së ambasadës greke në Tiranë për këtë veprim të papreçedent.

Edhe Organizata e Medias për Europën Juglindore me qendër në Vjenë, SEEMO, ka dënuar këtë veprim të autoriteteve greke ndaj reporterit shqiptar.

Në një komunikatë për shtyp, kjo organizatë, anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Medias, kërkon nga autoritetet greke të japin sqarime përse gazetarit të Top Channel iu ndalua hyrja në këtë shtet.

Top Channel